Rama: Bashkimi, çelësi i fitores në 2009
TIRANË- Partia Socialiste fton aleatët e vetë natyralë që të lënë pas politikën inatçore dhe të bëhen pjesë e një bashkimi të ri politik. Një ditë pasi Kuvendi votoi ndryshimet kushtetuese, kryetari i selisë rozë Edi Rama ka përshëndetur konsensusin e gjerë me të cilin u miratuan ato, duke u shprehur gjithashtu besimplotë se tashmë i është hapur rrugë vendosjes së një shteti demokratik, pushteti i të cilit do të rrjedhë nga vota e shqiptarëve. "Reformë e miratuar me një konsensus të gjerë, pas një debati të gjatë e të ndezur, natyrshëm mes forcave politike, hap një kapitull të ri ballafaqimesh mes partive shqiptare, të cilat nuk mund të marrin më atë që nuk u takon dhe nuk mund të jetojnë më në kurriz të njëra-tjetrës, duke luajtur "kukafshehti" me popullin sovran",- u shpreh dje kryetari i PS-së, Edi Rama. Duke komentuar pikërisht paketën e amendamenteve kushtetuese, Rama është ndalur tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, të cilin e ka cilësuar dhe si arritjen më të madhe të kësaj reforme. Sipas tij, ky sistem i jep fund atij sistemi korruptiv ku partitë politike, për shkak të makinacioneve jo morale, përfitonin në vazhdimësi në "kurriz" të njëra-tjetrës, duke devijuar vullnetin e zgjedhësve. "Dua të ftoj sot, të gjithë ata që u pozicionuan e votuan kundër kësaj reforme të domosdoshme, që të kuptojnë se ky ndryshim themelor nuk është kundër atyre, e as nuk përjashton askënd nga mundësia për të konkurruar në mënyrë të lirë e të ndershme",- shtoi kreu i selisë rozë Edi Rama. Ai ka garantuar ish-aleatët e vet se vetëm bashkimi dhe jo mllefi, do të jenë çelësi i një fitoreje të madhe në vitin 2009, fitoreje e cila, sipas tij, do të bëjë të mundur dhënien fund të asaj që ai e ka cilësuar si politikë e vjetër. "Partia Socialiste nuk e ka ndërmarrë këtë nisëm transformuese për të përjashtuar nga konkurrimi aleatët e saj të djeshëm, të sotëm a të nesërm, partitë opozitare apo forca të tjera shoqërore dhe individë që do të bashkohen me ne në betejën historike të vitit 2009, për të fituar ballafaqimin mes një politike të re dhe politikës së dështuar të 17 vjetëve tranzicion, që mishërohet tërësisht në pamjen e në bëmat e qeverisë e të Kryeministrit të sotëm", - tha kreu i selisë rozë. Është koha, - ka vijuar Rama, - e rikonceptimit të filozofisë së bashkëpunimit mes të gjitha forcave e individëve që duan fundin e tranzicionit, fundin e politikës së vjetër dhe fundin politik të simbolit të kësaj politike, kryeministrit Sali Berisha. Duke theksuar se PS dhe ai vetë janë të vendosur që ta bëjnë realitet krijimin e këtij koalicioni të gjerë, Rama ka bërë të qartë se edhe sistemi i ri zgjedhor, pra ai proporcional-rajonal, nuk e pengon krijimin e koalicioneve politike. Ndërkohë ai nuk ka munguar që të shprehë indinjatën e tij për sulmet që liderët e partive të vogla, kryesisht të majta, kanë bërë në drejtim të tij dhe të PS-së. Rama ka bërë edhe një herë qartë se PS është forca më e madhe politike në vend dhe nuk mund të shantazhohet nga askush. "Shpreh keqardhjen për të gjithë agresionin verbal të kohëve të fundit në adresën time e të Partisë Socialiste dhe uroj që të gjithë ta kuptojnë edhe më mirë sot, se kjo parti përfaqëson shumicën e shqiptarëve e shqiptareve, dhe as shantazhohet e as ndalet në rrugën e saj të re",- tha Rama.