E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mbrojtja e dëshmitarëve" mbërrin në komisione

Me propozim të Ministrisë së Brendshme, qeveria ka paraqitur në Kuvend ndryshimet në projektligjin "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë". Sipas qeverisë, kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarët, duke pasur parasysh se dëshmia është prova më e rëndësishme në zbardhjen e çështjeve të ndryshme dhe një element thelbësor për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Në projektligj parashikohet që të shmanget pjesëmarrja e gjyqtarëve në procesin e mbrojtjes së dëshmitarëve, pasi ata nuk kanë arsye të mësojnë hollësi për organizimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe se shpesh ata kanë seanca gjyqësore që kufizojnë mundësitë për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit, duke veçuar vetëm rastet urgjente. Objekti i bashkëpunimit parashikon zbatimin e ndërsjellë të programit të mbrojtjes përfshirë ndryshimin e vendbanimit dhe qëndrimin e personave të mbrojtur në territoret përkatëse të palëve. Projektligji është i përbërë nga 30 nene të ndara në 5 kapituj. Ky projektligj tashmë pritet të diskutohet në komisionet përkatëse për t‘i kaluar më pas për miratim Kuvendit dhe pas votimit hyn në fuqi për zbatim.
E.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›