E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama do të çohet për të ikur i humbur

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ironizuar këngën e rivalit kryesor politik, Edi Rama, “Çohu”, duke deklaruar se ajo është simbolika e humbjes dhe jo fitores. Gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës, me gratë e vajzat shkodrane, Topalli ka deklaruar se “Rama do të çohet për të humbur zgjedhjet dhe jo për t’i fituar ato”. “Unë i them Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sot nga Shkodra: ti je çuar për të ikur që kur ke votuar kundër rritjes së rrogave, ti je çuar për të ikur kur ke votuar kundër rritjes së pensioneve; ti je çuar për të ikur që nga momenti që proteston për gjëra që nuk ekzistojnë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është çuar për të ikur kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, është çuar për të ikur, sepse ai nuk ka program, ashtu siç iku në fakt, kur filloi pika e parë e shiut, në hapjen e fushatës së tij elektorale”, tha Topalli. Gjithashtu nënkryetarja e PD-së bëri komente edhe mbi mitingun e socialistëve, të bërë në sheshin ku nisën protestat e studentëve kundër regjimit komunist. “Kryetari i Bashkisë të Tiranës hapjen e fushatës së tij elektorale në qytet “Studenti” e filloi me ministrin e fundit të brendshëm dhe sigurimit të shtetit Gramoz Ruçin. Ai ishte në një pozicion kyç, atëherë kur këtu katër djem shkodranë, përpara universitetit u vranë. Kjo është një fyerje që i bëhet secilës, kjo është një dhimbje që kërkojnë të na hedhin mbi Shkodrën, mbi Shqipërinë dhe mbi demokracinë”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se “dua t’ju falënderoj dhe jam optimiste që në mandatin e dytë, më 28 qershor, me një fitore të Partisë Demokratike, do të ketë projekte të tjera të mëdha zhvillimi. Kemi për të bërë që qyteti i Shkodrës, Qarku i Shkodrës, të jetë më i bukur, të jetë më modern. Ne do të investojmë më shumë nga ç’kemi investuar. Investime të mëdha do të vijnë në Shkodër”. Kryetarja e Kuvendit prezantoi deputetët e ardhshëm të Shkodrës, Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Paulin Stërkaj, Ndue Paluca, Ramiz Cobaj, Gjovalin Çuni, Shpresa Tepelia, Fatbardh Spahia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›