Kandidojnë në zgjedhje, Topi shkarkon 3 prokurorët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shkarkon prokurorët që janë kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se kreu i shtetit ka nxjerrë dekretet për shkarkimin e tre prokurorëve, Ermonela Felaj, Ulsi Manjës dhe të Fatmir Hoxha, që të tre kandidatë të PS-së në këto votime. “Kreu i shtetit dekretoi shkarkimin nga detyra të Ermonela Felaj, prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, të Fatmir Hoxhës, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, të Ulsi Manjës, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë”, thuhet në njoftim për shtyp të Presidencës. Felaj kandidon në qarkun e Beratit, Hoxha në qarkun e Kukësit dhe Manja në qarkun e Dibrës. Kushtetuta nuk lejon që prokurorë dhe gjyqtarë të kandidojnë në zgjedhje. Ato fillimisht duhet të japin dorëheqjen përpara se të kandidojnë, pasi në kundërt mandati i fituar mund të cilësohet si nul pa efekt. Ndërsa ende ka zyrtarë që nuk kanë dhënë dorëheqjen, edhe pse janë kandidatë për deputetë të partive të ndryshme.
Emrat
• Ermonela Felaj, kandidate e PS, Berat
• Ulsi Manja, kandidat i PS, Dibër
• Fatmir Hoxha, kandidat i PS, Kukës