Topalli: Rama kërkon t’u ikë zgjedhjeve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzon kryesocialistin Edi Rama për prishje të zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë qëndrim kryeparlamentarja e mbajti gjatë takimit me përfaqësuesit e komisionin ad-hoc të vëzhguesve paraelektoral të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryesuar nga Corien Jonker. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i kapur nga paniku, ka vendosur të bëjë çdo përpjekje për t’i ikur zgjedhjeve, por 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë” deklaroi Kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, ecuria e procesit zgjedhor është shumë e mirë. Po dje vëzhguesit e KE-së zhvilluan një takim me zyrtarët e PS-së, duke u njohur me ecurinë e procesit. Socialistët kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me ecurinë e procesit të kartave të identitetit, mungesës së listave së zgjedhësve. Grupi i vëzhguesve të KE-së pritet të zhvillojë një takim dhe me Kryeministrin Sali Berisha, si dhe me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vëzhguesit zhvilluan edhe një takim me një grup të përfaqësuesve të mediave.