E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni amerikan i Helsinkit dhe Glover e ODIHR: Qeveria të japë zgjidhje për kartat

 

Komisioni amerikan i Helsinkit e konsideron si një nga sfidat kryesore të qeverisë shqiptare, si anëtarja më e re e NATO-s, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor, sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë konkluzion arriti  Komisioni i Helsinkit gjatë diskutimit në një seancë të posaçme për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Në këtë takim të këtij komisioni, që ka peshë të rëndësishme në Kongresin amerikan morën pjesë 9 senatorë dhe 8 kongresmenë. Gjithashtu morën pjesë dhe njohës të mirë të çështjeve shqiptare, mes të cilëve kongresmeni Eljot Engel, një ekspert për çështjet shqiptare, Drejtori i Institutit Demokratik Amerikan për Evropën Lindore e Qendrore, Robert Benxhamin, drejtori i divizionit për Euroazinë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj.  Bashkëkryetari i Komisionit, Alcee Hasting tha në këtë takim se “është për të ardhur keq për vetë faktin se ende ekzistojnë probleme, gjë që mund të dëmtojë imazhin demokratik të Shqipërisë”. Analisti Biberaj theksoi se tani që Shqipëria është në NATO, vendi duhet të matet me standarde shumë më të larta, se sa seç është matur më parë. “Nëse Shqipëria nuk realizon kësaj here zgjedhje në përputhje me standarde ndërkombëtare, kjo do të kishte një ndikim të thellë për stabilitetin politik të vendit, do të zbrazte arritjet politike dhe ekonomike të deritanishme, do të pakësonte mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërisë, dhe të shqiptarëve në Maqedoni dhe Kosovë, si dhe do të shtynte pafundësisht  anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Biberaj. Pikëpamjen e Shqipërisë mbi ecurinë e këtij procesi, e mbajti ambasadori shqiptar në SHBA, Aleksandër Sallabanda, i cili theksoi se “qeveria e Shqipërisë është e angazhuar plotësisht që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta, në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Problemi i kartave është shqetësues, siç u shprehën folësit në seancë. Ambasadori Sallabanda tha se “nga 700 mijë shtetas pa karta, 450 mijë kanë paraqitur kërkesë, ndërsa 150 mijë jetojnë jashtë vendit”. Por kjo lë dhjetëra e mira të tjerë pa dokumente votimi. Drejtori i Zyrës së Institutit Demokratik për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benxhamin, tha se  “ndonëse nuk ka të dhëna konkrete, megjithë akuzat që janë bërë që procesi i kartave të identitetit po shfrytëzohet për qëllime partiake, vetë fakti që qytetarët duhet të shkojnë më shumë se një herë për të marrë kartat, në mënyrë që iu duhet të për të votuar, kjo i vendos në një barrë të padrejtë, për të ushtruar një të drejtë bazë siç është e drejta e votimit”. Benxhamin iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e duhura për t’jua lehtësuar qytetarëve shqiptarë këtë barrë. Komisioni i Helsinkit është një agjenci e pavarur qeveritare amerikane që vëzhgon dhe nxit vendet të respektojnë angazhimet e tyre ndaj OSBE. Komisioni është një agjenci prestigjioze dhe përbëhet nga 9 anëtarë të Senatit, 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe anëtarë nga departamenti i shtetit, i mbrojtjes dhe i tregtisë.

Ambasadorja apel për mbështetje të procesit dhe nga partitë
Glover: Pajisja me karta e zgjedhësve, përgjegjësi e qeverisë

ODIHR mendon se pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit është një përgjegjësi e qeverisë. Kryevëzhguesja Audrey Glover në intervistë për “News 24” deklaroi se “e kuptojmë që çështja e kartave të identitetit është një çështje shumë e debatueshme mes partive. Është shumë e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët, me të drejtën e votës dhe pa dokumente të tjera të posaçme, të pajisen me karta identiteti para 28 qershorit. Kjo ka rëndësi të padiskutueshme. Është përgjegjësi e qeverisë, po si me të gjitha politikat, aplikimi dhe shpërndarja e kartave te identitetit ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve dhe gjithë partive politike”. “Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin me vëmendje në terren këtë proces dhe në ekipin qendror kemi një ekspert që po merret posaçërisht me çështjen e listave të votimit dhe kartave të identitetit. Është shumë herët të bëhet një vlerësim i të gjithë procesit, por ky vlerësim do të jepet në raportet tona të ndërmjetme dhe në deklaratën tonë mbi konstatimet paraprake ditën pas zgjedhjeve”, deklaroi Glover. Kryevëzhguesja tha se “dua të theksoj edhe njëherë se është shumë e rëndësishme që çdo qytetar me të drejtën e votës të ketë mundësinë të votojë”. Glover rithekson se përplasjet për zgjedhjet e vitit 1996 nuk do të ndikojnë në vlerësimin e këtyre zgjedhje. “Veç kësaj, në këto 13 vjet, Shqipëria ka pasur zhvillime pozitive që ne shpresojmë se do të konsolidohen në këto zgjedhje”, theksoi Ambasadorja e ODIHR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›