Astrit Patozi: Bamir Topi jashtë koalicionit të PD – Rama s’do e bllokojë dot statusin pas 23 qershorit

Partia Demokratike vlerëson se miratimi i tre ligjeve që i mundësojnë Shqipërisë marrjen e statusit, do t’i mbetet Parlamentit të ardhshëm. Kryetari i grupit të deputetëve demokrat Astrit Patozi në një intervistë për “Albanian Screen” thotë se pas 23 qershorit Edi Rama nuk do të mund të bllokojë procesin integrues të vendit. “Kjo do të jetë hera e fundit besoj që Edi Rama do të ketë mundësinë të bllokojë statusin e kandidatit dhe skenarët janë disa. Skenari i parë është që shqiptarët të kenë mundësi të votojnë shumicën e integrimit, pra, një shumicë me 3/5. Kjo sigurisht që do ti jepte fund gjithçkaje, pra shqiptarët do të kishin një shumicë integruese dhe kjo nuk është e pamundur. Por gjithsesi nuk është skenari i vetëm. Dhe në rast se Edi Rama do të humbi thellë apo cekët në zgjedhjet e 2013, unë kam bindjen që ai nuk do të ketë më mundësi që ta përdorë PS si kamikaze për të bllokuar aspiratat e vendit për tu integruar në BE", tha Astrit Patozi.
Rreth 6 muaj larg 23 qershorit, zoti Patozi vlerëson se nuk ka kohë për riformatimin e së djathtës siç kanë kërkuar aleatët e demokratëve. “Unë nuk besoj se është ky momenti i duhur dhe nuk besoj se kemi kohë të bëjmë një lëvizje të tillë kaq radikale para zgjedhjeve të cilat në një farë mënyrë po trokasin. Ajo që ka rëndësi sipas meje, është që ti të shkosh në zgjedhje me një formulë fituese dhe ne besoj se e kemi këtë formulë fituese”, tha ai.
Dhe pse po projektohet një koalicion më i gjerë se ai i 2009-ës, numri dy i demokratëve përjashton partinë e Bamir Topit. “Partia Demokratike bën negociata dhe bën marrëveshje me realitete politike dhe jo me ëndrra politike. FRD është një projekt ëndërr”, vijoi Patozi.
Për ngërçin e krijuar në KQZ ai fajëson socialistët, të cilët siç thotë po dëshmojnë që tani se nuk do të njohin zgjedhjet.
“PS mesa duket në paranojën e humbjes kërkon që ti kontestojë zgjedhjet dhe t’i cenojë disa muaj para se sa ato të mbahen. Ky nuk është lajm i mirë. PD është krejtësisht indiferente për ndarjen e mandateve sipas qarqeve, sepse nuk është dëshira e PD ajo që të ndryshojë mandatet, por është ligji”, tha Patozi.
PD është duke ideuar programin qeverisës dhe sipas Astrit Patozit, në fokus do të jenë projektet e ardhshme. Ndërkaq, fushata për një mandat të tretë do të nisë në janar, në aktivitetet e degëve në rrethe, që përkojnë me përvjetorët e krijimit të tyre.
...