Topalli: Rama "po bën pis" anëtarësimin në NATO
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte sërish në qendër të sulmeve të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në vazhdim të turit të saj në Lezhë, Topalli theksoi se "në emër të politikës së re, Edvin Rama kërkon ‘të bëjë pis‘ anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e ardhshëm elektoral. Por ne i kemi marrë të gjitha masat, që ky të jetë procesi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe me infrastrukturën më moderne që Shqipëria ka bërë". Sipas saj, korrupsioni më i madh politik i kryetarit socialist është mospërshëndetja e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë e paketës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në fjalën e saj drejtuar banorëve të Dajçit, Kryetarja e Kuvendit vijoi më tej me një analizë të karrierës politike të kryetarit socialist, të cilën e cilësoi korrupsion politik. "Karriera e tij është ndërtuar mbi korrupsionin politik. Ju të gjithë e kujtoni kur ai bëhej aleat me Ilir Metën kundër Fatos Nanos, kur bëhej aleat me Fatos Nanon kundër Ilir Metës, dhe kur bëhej me Sali Berishën kundër Nanos dhe Metës", tha Topalli. Sipas saj, shtylla e dytë e karrierës së tij është korrupsioni mediatik, ku nëpërmjet mesazheve drejtuar gazetarëve, Edi Rama i detyron ata që të lexojnë vetëm mesazhet që ai shkruan për veten e tij.