E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PD-së, Igli Cara, zëvendëson Telitin në Durrës

Igli Cara, në vend të Armand Telitit në Durrës. Deputeti Genci Juka dhe Igli Cara qenë dy emrat e përzgjedhur nga kryetari i Partisë Demokratike mes 26 kandidatëve të dalë nga baza e Durrësit për kreun e degës. Armand Teliti është zëvendësuar nga Igli Cara, i cili do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve të ardhshme elektorale, duke synuar fitoren e tyre. Ai mbështetej nga emrat e vjetër të PD-së në Durrës, ndërsa Juka kishte në krahun e tij Forumin Rinor Demokrat. Kandidati më i favorizuar mendohej të ishte Ferdinand Xhaferri, të cilit një ditë para zgjedhjeve në Durrës iu dha vendi i lënë bosh nga Spartak Ngjela. Votimi i 533 delegatëve ka mbaruar pasdite vonë, rreth orës 17:45. I pranishëm në fillimin e punimeve të Kuvendit IX të degës së Partisë Demokratike të Durrësit ka qenë kryetari i kësaj force politike dhe njëkohësisht Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Në fjalën para të pranishmëve, Berisha tha se qeveria e tij ka ndryshuar përgjithmonë realitetin në Shqipëri, duke e nxjerrë vendin nga listat e zeza e drogës dhe korrupsionit. Sipas Berishës, është qeveria e tij që u faktoi qytetarëve se premtimet e bëra mbahen. Kreu i demokratëve shprehu gjithashtu bindjen në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe tha se qeveria që do të formohet pas tyre, do të jetë e transformimit total të vendit. Berisha pranoi se një pjesë e qytetarëve janë të pakënaqur me sistemin, por shtoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për ta ndryshuar. Ndërkohë, duke u ndalur tek anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO, që pritet të ndodhë pas një jave, kryetari i PD-së, Berisha, përsëriti në Durrës se kjo është ngjarja më madhore pas shpalljes së Pavarësisë. Më tej ai u ndal edhe në investimet e realizuara dhe projektet e reja për qytetin e Durrësit. Më tej, aktivi i degës së Durrësit ka vijuar me seancat e tjera, përgjatë të cilave është mbajtur raporti mbi veprimtarinë e degës, si dhe me votimet për kryetarin dhe kryesinë. Sakaq, në një takim të mëparshëm në Komunën e Paskuqanit, Kryeministri iu rikthye akuzave ndaj kryetarit të selisë rozë, Edi Rama. Sipas tij, kryesocialisti, nën cilësinë e kryebashkiakut të kryeqytetit, po mban të fshehur projektin e Unazës, duke investuar për Tiranën më pak se Paskuqanin. "Bazohet në fjalë boshe, bazohet në trillime, bazohet në nihilizma. Platforma e vetme e tyre është të mohojnë. Ne rrisim rrogat, ata thonë nuk janë rritur; ne garantojmë furnizimin me energji, ata fikin dritat për të treguar se s‘kanë energji", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›