E Diel, 1 Nëntor 2026

Jetojnë prej 7 vitesh në Kanada, u faturohet energji elektrike

Në filialin e OSSH-së së Fierit janë depozituar afro 500 ankesa për abuzime me faturat e energjisë elektrike. Fakti pohohet dhe nga drejtori Arjan Bibe, i cili është shprehur se po punohet për sqarimin e çdo ankese që ka mbërritur në zyrat e tyre. Ankesa më e fundit është nga familja Shallvari. Edhe pse kanë shtatë vjet që jetojnë në Kanada, atyre u faturohet rregullisht energjia elektrike. Familja e Petraq Shallvarit, që dikur ka banuar në lagjen "15 Tetori" të qytetit të Fierit, prej vitesh është zhvendosur në Toronto të Kanadasë, por mesa duket dera me dryn, nuk i ka shqetësuar faturistët dhe çdo muaj u presin faturën e dritave rregullisht. "Kemi paguar herë pas here fatura të hedhura në mënyrë fiktive. Dy muajt e fundit të vitit 2008 paguam një tarifë shërbimi që ishte 240 lekë të reja, për një shërbim që nuk i ofrohet familjes së motrës sime, e cila ka ikur në Kanada që prej 7 vitesh. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjatë muajit janar dhe shkurt ka ardhur një faturë ku shkruhej se kjo familje kishte konsumuar 20 kilovat energji elektrike, ndërkohë që në atë shtëpi ka 7 vjet që nuk jeton më njeri", tregon Agim Caka, i afërt i familjes Shallvari.

Më tej ai tregon se është ankuar edhe te drejtuesit e OSSH-së, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje. "Kam shkuar te sporteli ku paguhen faturat dhe u kam sqaruar se kjo familje ka shtatë vjet që nuk hap derën e shtëpisë, por më kanë thënë se nuk mund ta lënë faturën dot me 0 kilovat të harxhuara", ka thënë më tej Caka. Ndërkohë, për rastin në fjalë, drejtori Bibe ka sqaruar se do të shqyrtohet dhe do të merret një vendim.

Qyteti i Fierit prej disa kohësh ka pasur probleme me faturat aforfe, ku jo në pak raste janë denoncuar abuzime të mëdha me to. Vetëm pak ditë më parë, në lagjen "Liri" të Fierit, fqinjët e një 58-vjeçari që kishte tre vjet që kishte vdekur, denoncuan faturën e prerë nga OSSH-ja e Fierit për shtëpinë e të vdekurit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›