E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lustracioni, KE vlerëson pezullimin

Bashkëraporterët e Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso (Finlandë) dhe David Wilshire (Mbretëria e Bashkuar), publikuan dje raportin për ligjin e lustracionit në Shqipëri. Materiali konfidencial përmbledh të gjitha konkluzionet për takimet e zhvilluara prej dy raporterëve në vizitën e tyre në Tiranë, gjatë datave 9-11 shkurt 2009. Për sa i përket ligjit të "Dosjeve", dy raporterët mbështesin faktin që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias. Ata nënvizojnë se kur kanë takuar Presidentin Topi lidhur me këtë ligj, ai u ka bërë të ditur se nisma është shumë më ndryshe nga ajo që vetë Topi propozoi në vitin 2006. Në raport thuhet se miratimi i nismës u shoqërua me komente të ndryshme nga organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike në Tiranë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, të cilët theksonin implikimet kushtetuese të ligjit. Ekspertët e Këshillit të Evropës, në një analizë të ligjit kanë zbuluar çështje shqetësuese, ku përfshihen: kategoria shumë e zgjeruar e zyrtarëve që preken nga ligji dhe përfshirja e plotë e zyrtarëve që janë në detyrë. Një tjetër element ishte ndershmëria e proporcionalitetit dhe procedurave të pastrimit, si dhe ashpërsia e sanksioneve të parashikuara. "Gjatë vizitës tonë, Gjykata Kushtetuese na informoi se një vendim do të merrej në ditët e ardhshme lidhur me pezullimin e zbatimit të Ligjit të Pastrimit", thuhet në raport. Më tutje sqarohet se çfarë është diskutuar në takimin me Kryeministrin Sali Berisha dhe deklarimi i tij se "çdo ligj pastrimi përfshin kufizime të përkohshme të të drejtave të njeriut". Sipas tij, thuhet në raport, ligji shqiptar është i drejtë dhe proporcional, u ofron personave në fjalë të drejtën e ankimit në një gjykatë (për dallim nga vendet e tjera). "Ai theksoi se do të mirëpresë ndihmën e Këshillit të Evropës në drejtim të zbatimit të ligjit, porse nuk ishte i gatshëm të rishqyrtonte nismën edhe njëherë në Parlament". Bashkëraporterët shkruajnë se "Presidenti Topi shpjegoi se në vitin 2006 ai ishte shtyrë për një pastrim të ligjit, por projekti, i cili ishte duke u shqyrtuar në atë kohë, ishte shumë i ndryshëm nga ky ligj i ri". Topi citohet në raport të ketë shprehur dëshirën që bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, të mund të sigurojë ndihmë me ekspertë lidhur me këtë çështje, "në mënyrë që Shqipëria të merret me të kaluarën e vet, pa dobësimin e institucioneve demokratike të vendit dhe në pajtim të plotë me detyrimet e saj ndërkombëtare", vijon raporti, duke cituar Presidentin. Dy komisionerët e Këshillit të Evropës nënvizojnë se është urgjente që të merren parasysh standardet evropiane për ligjin e "Dosjeve". Për sa i takon rastit Biberaj, raporterët shprehen se është jashtë kompetencave të tyre të përfshihen në një çështje të brendshme administrative të Shqipërisë, megjithatë konsiderojnë se duhen marrë masa që të mos ndodhin më ngjarje të tilla. Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009, në raport nuk ka konstatime të mëdha, pasi sikundër thonë raporterët, nuk kanë pasur kohë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›