Topalli-Rama shtrëngojnë duart, batutat në takimin e OSBE-së
Wollfarth: Ju kërkoj ndjesë, por duhet të presim në respekt se ajo është zonjë
Rama: Po pse, këto që kanë mbushur sallën nuk janë zonja, ça të duken ty, burra?
Një takim i organizuar nga OSBE-ja me temë “Rritja e rolit të gruas në qeverisje: Premtim i mbajtur?” ka mbledhur në të njëjtin ambient dy ish-aleatët, Edi Rama dhe Ilir Meta, si dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por përtej temës së çështjes që trajtohej, takimi ka shërbyer edhe për një shtrëngim duarsh të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me kreun e opozitës Edi Rama, ku ky i fundit në një ditë në humor nuk ka ngurruar të hedhë një sërë batutash. I pari që ka mbërritur në këtë takim ka qenë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili në përkujdesjen e ambasadorit Eugen Wollfarth është ulur në krahun e majtë të të pranishmëve. Menjëherë pas tij në sallë ka hyrë ish-aleati i tij, kreu aktual i PS-së, Edi Rama, i cili ndryshe nga Meta, është drejtuar dhe ka zënë vend në krahun tjetër të sallës. Të dy ish-bashkëpunëtorët kanë shmangur kontaktet jo vetëm fizike, por edhe ato vizuale me njëri-tjetrin. Të dy të ftuarit VIP është dashur të sqarohen nga ambasadori Wollfarth se duhet të prisnin disa minuta deri sa të plotësohej paneli edhe me praninë e kryeparlamentares Topalli. Pavarësisht se i shprehu ambasadorit mirëkuptimin e tij për këtë vonesë, Rama është ndjerë i bezdisur nga pritja, ndaj ka nisur të hedhë batuta për këtë situatë, duke e konsideruar atë me ironi si “Miss”. Pas një vonese më shumë se 20 minuta, Topalli ka hyrë në sallë dhe ka nisur të përshëndesë dhe të shtrëngojë duart me të pranishmit e radhës së parë, ku qëndronte dhe Rama. Në këtë moment, kryesocialisti duke i dhënë dorën, me humor ka thumbuar Topallin se ishte ajo si përfaqësuese e mazhorancës që po pengonte integrimin e vendit. Pas këtij momenti që ka shkaktuar ilaritet në sallë, konferenca ka vijuar sipas planit, ku përfaqësuesit e lartë politikë kanë përcjellë mesazhe të qarta në lidhje me nevojën për një përfaqësim të madh të gruas në politikë dhe vendimmarrje. E para që ka shtruar këtë nevojë ka qenë kryeparlamentarja Topalli, e cila ka theksuar se gruaja nga natyra është krijuese, ndaj dhe duhet të ketë përfaqësim më të madh në punët e rëndësishme. “Burrat, zakonisht janë më shkatërrues. Gruaja është krijuese. Gruaja di të marrë përgjegjësi ashtu si i merr në familje. Po ashtu, gruaja di të rregullojë punët e shtetit, punët e shoqërisë”, - tha Topalli. Ndërsa Rama në fjalën e vet ka pranuar se ka qenë i pafuqishëm që gjatë hartimit të listave për deputetë të ndikonte që të përfshiheshin edhe më shumë femra. Nga ana tjetër, duke iu referuar asaj që tha kryeparlamentarja se burrat janë shkatërrues, Rama duke u përpjekur të sqarojë se jo të gjithë mund të quhen të tillë, ka lënë të kuptohet se një prej tyre është dhe kundërshtari i tij politik, kryeministri Berisha. “Jam i detyruar ta pranoj që unë mbeta në minorancë, jo vetëm në raport me PD-në, por edhe në raport me burrat e PS-së. Por, nga ana tjetër besoj se është koha për ta konsideruar këtë propozim dhe për ta vënë këtë në jetë. Edhe me ndihmën e grave të forta në PD besoj që mund të bëjmë diçka për të influencuar burrat shkatërrues, siç thotë Jozefina”, - tha Rama.
Batutat
Eugen Wollfarth: Të më falni, por kërkoj mirëkuptimin tuaj për ta nisur pak takimin me vonesë deri sa të plotësohet i gjithë paneli.
Edi Rama: Për mua s’ka asnjë problem përderisa ti si gjerman pret..
Wollfarth: Jo, nuk besoj se vonohet shumë, dy-tri minuta.
Rama: Inshallah nuk e ka me lekë të reja..
Wollfarth: Jo, jo, do nisim shumë shpejt.
Rama i drejtohet ministrit të Punës, Spiro Kserës: Jasu re Spiro, ti kanis, kala?
Spiro Ksera: Kala, Kala, essi?
Rama duke pritur Topallin shkëmben batuta me kameramanët dhe gratë e tjera të pranishme në takim: E mo çuna, po presim të na vijë ‘Miss Bota’. Le që nuk është ‘Miss’ por ‘Mister’.
Wollfarth në pritje të Topallit i drejtohet Ramës: Ju kërkoj ndjesë, por duhet të presim në respekt se ajo është zonjë.
Rama: Po pse, këto që kanë mbushur sallën nuk janë zonja, ça të duken ty, burra? Të thashë unë që e ka me të reja ajo.
Vjen Topalli dhe i jep dorën Ramës.
Rama: Hë moj Jozefinë, kush e vonon integrimin?
Topalli: Ti, ti.
Rama: Po hajde pra, se ti po vonohesh.
Topalli: Kam lexuar së fundmi një ‘Nobel Prize’. Është çmimi ‘Nobel’ i fundit, i marrë nga një shkrimtar i famshëm kinez, quhet Gao Xingjian, i cili shkruan për gruan në veprën e tij në një lloj gati manifesti të feminilitetit duke folur me respekt. Ajo që thotë, që është substanciale, që është themelore në diferencën midis gruas dhe burrit është se “gruaja është krijuese”. Burrat zakonisht janë më shkatërrues. Gruaja është krijuese. Gruaja di të marrë përgjegjësi ashtu si i merr në familje. Gruaja di si drejtohet familja. Gruaja di se si rregullohen punët e shtëpisë. Gruaja di se si ruhen ekuilibrat brenda familjes. Po ashtu, gruaja di të rregullojë punët e shtetit, punët e shoqërisë.
Rama: Besoj që është puna më e mirë që ka bërë deri tani në Shqipëri, që ka mbledhur kaq shumë gra për këtë mision, që OSBE-ja e ka marrë me seriozitet dhe e ka ndjekur sistematikisht në proces bashkë me njerëz të përkushtuar si Sonja dhe të tjerët. Më lejoni që t’i vë pikën duke thënë: Jam absolutisht dakord me atë që tha Jozefina, që gruaja është krijuese. Po burrin mos ta quajmë shkatërrues, por ta quajmë bashkautor të paktën. Pastaj që ka dhe burra shkatërrues, kjo është jashtë çdo dyshimi. Dhe pikërisht pse ka burra shkatërrues duhet të ketë shumë më tepër gra krijuese edhe në politikë