Vizita në Maqedoni, Berisha: Së shpejti kalimi i kufirit me letërnjoftim
Berisha ka folur edhe për mundësinë për arsimim në gjuhën maqedonase të maqedonasve që jetojnë në Shqipëri.
TIRANË Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një vizitë të ngjeshur pune në Maqedoni, duke filluar nga takimet e njëpasnjëshme me gjithë faktorët politikë në vend e deri te marrja e çmimit Tradicional për Lidership, nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim në Tetovë. Berisha e filloi vizitën duke zhvilluar takime të veçanta me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi dhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Më pas kreu i ekzekutivit zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, që u pasua nga një takim ku të pranishëm ishin dhe dy delegacionet, ai shqiptar dhe ai maqedonas. Gjatë takimit mes tyre, të dy personalitetet pohuan marrëdhëniet e mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët të qeverive përkatëse, për zgjerimin dhe konsolidimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së dy vendeve e popujve. Në takim u theksua rëndësia e realizimit me sukses të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si ato rrugore dhe hekurudhore, të cilat do të bëjnë të mundur lidhjen më të ngushtë mes dy vendeve, në shumë plane, si atë të transportit, shkëmbimeve tregtare, turizmit etj. Në këtë kuadër u theksua nevoja për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, kryeministri Berisha njoftoi se së shpejti mes dy vendeve do të fillojë edhe kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Berisha ka folur edhe për mundësinë për arsimim në gjuhën maqedonase të maqedonasve që jetojnë në Shqipëri. “Dua t’ju siguroj se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave”, tha Berisha. Po dje Berisha u prit nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, e më pas nga presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Në vijim të vizitës së tij, Berisha u ndal në Tetovë, ku u prit nga pedagogë e studentë të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në mbyllje të vizitës së tij njëditore në Maqedoni, kryeministri Berisha vizitoi një tjetër universitet po në Tetovë, atë të Europës Juglindore. Në një ceremoni të veçantë, kryeministrit Berisha iu dha Çmimi Tradicional për Lidership, nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim.