E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti me PD, plani i veprimit i PS për miratimin e ligjeve me 3/5

SHKRUAN: Fejzi Braushi 10-11-2011 12:55

Xhafaj: PS propozon dy rrugë alternative, njëra nëpërmjet një komisioni të posaçëm ad-hoc, i cili të veprojë nën përvojën e arritur nga komisionet e reformave zgjedhore, dhe si rrugë të dytë, në rast të mos pranimit të së parës, direkt nëpërmjet komisionit të Ligjeve.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka bërë hapin e saj të radhës në drejtim të zbatimit të paktit të mirëkuptimit me Partinë Demokratike. Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, në emër të deputetëve të majtë të komisionit të Ligjeve ka dorëzuar dje në Kuvend planin e veprimit për rrugën dhe kalendarin që duhet të ndiqet në vijim për miratimin e atyre nismave ligjore që kërkojnë 3/5-at e votave. Plani bën një ndarje të këtyre nismave në tri grupe, të cilat propozohen të diskutohen njëra-pas tjetrës sipas rëndësisë, brenda marsit të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që deputetët e majtë për shqyrtimin e tyre propozojnë dy rrugë të mundshme: njëra që është edhe e preferuara e tyre, nëpërmjet ngritjes së një grupi pune ad-hoc dhe rruga e dytë, direkt nga komisioni i Ligjeve.

Propozimi

Deputeti socialistë Fatmir Xhafaj në funksion edhe të mirëkuptimit parimor që është arritur me demokratët, i ka dorëzuar dje në kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli zarfin me planin e veprimit që propozon PS për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Një kopje të së cilës e depozitoi edhe në protokoll për t’iu paraqitur edhe Konferencës së Kryetarëve. Plani i veprimit përbëhet nga dy pjesë, njëra që trajton mënyrën e shqyrtimit të këtyre ligjeve, aktorët dhe grupet e interesi që duhet të ftohen në këtë proces, dhe një pjesë e dytë ku përcaktohen afatet konkrete për miratimin e secilit grupim nismash. Për sa i përket pjesës së mënyrës së trajtimit të këtyre nismave ligjore, PS-ja propozon dy rrugë alternative njëra nëpërmjet një komisioni të posaçëm ad-hoc, i cili të veprojë nën përvojën e arritur nga komisionet e reformave zgjedhore dhe si rrugë të dytë në rast të mos pranimit të së parës, direkt nëpërmjet komisionit të Ligjeve. Duke shprehur parapëlqimin e tyre për variantin e parë, socialistët propozojnë që komisioni të jetë i përbërë në mënyrë të barabartë dhe me drejtim konsensual nga të dyja palët. “Ne ju propozojmë dy alternativa konkrete : I. Të miratojmë një komision ad-hoc të atashuar pranë komisionit të Ligjeve, i cili bazuar në kalendarin përkatës të miratuar nga komisioni i Ligjeve, të ndërtojë një proces intensiv pune për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi, edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport-Progresit të BE-së. Për organizimin e këtij procesi ne propozojmë që Komisioni ad-hoc të jetë me përbërje të barabartë të dy palëve, duke pasur konsensusin si parim bazë të vendimmarrjes së tij, bazuar edhe në përvojën e komisioneve ad-hoc të reformave zgjedhore”, - thuhet në këtë dokument të hartuar nga deputetët socialistë të komisionit të Ligjeve. Ndërsa për sa i përket alternativës së dytë, PS-ja propozon “të ndërtojmë një proces efektiv përmes komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut, për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi, edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport-Progresit të BE-së”.

Asistenca

Gjithashtu, për të dyja alternativat deputetët socialistë propozojmë një proces që do të ndërtohet mbi këto kritere dhe hapa konkretë: Miratimi i një kalendari pune në shtrirje kohore së bashku me hapat proceduralë që do të ndiqen për këtë proces. Të miratohen për secilin nga projektligjet relatorët përgjegjës nga të dy palët, duke atashuar (kur çmohet e nevojshme) edhe ekspertët përkatës në mbështetje të tyre. Gjithashtu propozohet që kalendari i komisionit të bëhet publik, për t’i dhënë mundësinë e shfaqjes së interesit dhe kontributit konkret kujtdo që dëshiron të ofrojë ekspertizën e tij në këtë proces, si dhe t’iu dërgohet të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit për të dhënë kontributet përkatëse. Ndaj PS, në këtë kuadër kërkon që t’iu kërkohet institucioneve përgjegjëse që nisur nga koha e gjatë që ka kaluar të shprehen nëse kanë propozime të reja rreth projektligjeve të propozuara prej tyre. E njëjta kërkesë t’iu adresohet edhe agjencive dhe misioneve të asistencës që kanë kontribuar në procesin e hartimit të këtyre projektligjeve për të dhënë komentet përkatëse rreth këtyre projekt-akteve (EURALIUS, OPDAT, USAID, OSBE etj). Një nga pikat që mund të bëjë që ky propozim i socialistëve të mund të vihet në dyshim është pikërisht ajo që kërkon që komisionit t’i krijohen kushtet për të siguruar përfshirjen, mbështetjen dhe asistencën aktive të një grupi ad-hoc konstitucionalistësh si edhe ekspertësh vendas rast pas rasti, sipas fushave; Të sigurohet ekspertiza e kualifikuar ndërkombëtare përmes asistencës së misioneve të BE-së (Euralius), SHBA (OPDAT), USAID, OSBE etj. Gjithashtu, ata propozojnë që komisioni të ketë detyrën që mbështetur në propozimet e relatorëve përgjegjës për çdo projekt-akt të organizojë seanca dëgjimore publike me propozuesit e projekteve, me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë, grupeve përkatëse të interesit, si dhe të jetë i hapur të konsiderojë çdo lloj kontributi të ekspertëve dhe qytetarëve të interesuar që janë të gatshëm të kontribuojnë në këtë proces përmes propozimeve konkrete.

Kalendari i propozuar

I. Periudha Nëntor – Dhjetor 2011

1. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”.

2. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”.

3. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”.

4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

II. Periudha Janar – Shkurt 2012

5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” (4 nisma).

6. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

7. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8653, datë 31.07.2000, “Për ndarjen administrative - territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

III. Periudha Mars – Prill 2012

8. Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”.

Gjithashtu, hapja e procesit për shqyrtimin e projektligjeve për Shërbimin Civil, për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor, për Konferencën Gjyqësore, për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Kodin e Procedurës Penale etj., – projektligje këto pjesë e planit të veprimit kombëtar dhe strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, pjesë e rekomandimeve të Opinionit dhe Raport-Progresit, si dhe të kërkuara nga opozita dhe vetë institucionet kushtetuese të sistemit të drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›