Kuvend, nis shqyrtimi i projektligjit për pronësinë
Komisioni i Ligjeve do të nisë këtë javë shqyrtimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, të ardhur nga qeveria, i cili përcakton datën 31 dhjetor 2011 si fundin e shqyrtimit të kërkesave të ish-pronarëve. Tashmë kanë mbërritur në Kuvend ndryshimet në projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, sipas të cilave përcaktohen afatet ligjore që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të japë për çdo dosje prone. Projektligji i jep të drejtën Agjencisë së Pronave që të rishqyrtojë dhe të hetojë vendimet e dhëna në vite nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe të zyrave rajonale. Sipas këtij projektligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit do të japë një përgjigje, pozitive ose negative, për një dosje prone brenda 3 muajve në momentin që ajo niset të shqyrtohet. Në rast se subjekti nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së, atëherë ai ka 30 ditë afat për të shkuar në gjykatë dhe të ankimojë këtë vendim. Projektligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetëm projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indiceje që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë.