E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Twitter: Berisha foli si kryeministri i Somalisë

TIRANË Debatet e djeshme në Kuvend lidhur me pasojat e ligjit të rishikuar për mbetjet me dekret të Presidentit të Republikës, janë ndjekur paralelisht edhe nga kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili qëndrimet e tij i ka komentuar në rrjetin social “Twitter”. Teksa kryeministri Berisha mbronte në Kuvend pikërisht ligjin për mbetjet, kryetari i PS-së postoi komentin e tij të parë. “Të njëjtin fjalim ka mbajtur edhe kryeministri i Somalisë kur e mori në qafë vendin e vet duke e bërë kosh plehrash...Të thuash dua plehra nga jashtë, është tradhtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka 1 milion ton plehra rrugëve...”, - komentoi Rama në faqen e tij online. Rama ka reaguar edhe gjatë kohës kur në Kuvend, me votën e mazhorancës po rrëzohej dekreti i Presidentit të Republikës. Me rrëzimin e këtij dekreti, ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. “Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla”, - shkruan Rama në ‘Twitter’. Për më shumë se shtatë orë dje në Kuvend, deputetë të dy partive kryesore kanë debatuar lidhur me rëndësinë sipas demokratëve dhe pasojat sipas socialistëve që do të kishte ligji për menaxhimin e mbetjeve. Opozita votoi pro dekretit të Presidentit të Republikës, me qëllim rishqyrtimin edhe njëherë nga e para të përmbajtjes së draftit në komisionet parlamentare. Opozita ka mbajtur një qëndrim konstant ndaj kësaj çështjeje, ndërkohë që qëndrimin e fundit për këtë dekret e ka dhënë vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk ka preferuar të mbajë një konferencë për shtyp, por të ndjekë ritualin e përditshëm për të komentuar në “kohë reale” çdo debat që shoqëronte dje ligji për mbetjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›