E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Sot humba bashkëpunëtoren më të ngushtë, Linda Ihsani

TIRANE-Ndahet nga jeta intelektualja dhe mikesha e kryeparlamentares Jozefina Topalli, Linda Ihsani.
Kryetarja e Parlamentit ka shprehur në Facebook nëpërmjet një mesazhi dhe disa fotove, dhimbjen që ndjen për largimin para kohe nga jeta të mikeshës së saj.

“Sot, u nda nga jeta Linda Ihsani. Linda ishte mikja ime e çmuar. Sot kam humbur bashkëpunëtoren më të ngushtë, më të besuar, njeriun e drejtë, me integritet e dinjitet njerëzor që rrallë mund t’i takosh në jetë. Linda ishte vetë thelbi i dhembshurisë, i detyrës, i altruizmit. Për ato që e njihnin nga afër, ajo ishte dedikimi për të tjerët. Kishte një fisnikëri njerëzore që nuk i lejonte vetes të mendonte për veten e saj. Linda jepte shpirtin për atë që besonte. Ishte atdhetare, e drejtpërdrejtë, guximtare, e prerë e sakrificës. Ajo ishte një intelektuale me shpirt të madh. Kurrë nuk kërkoi gjë, kurrë nuk pranoi të shfaqej në publik. Fliste pak e punonte shumë. Në kohë të mira e të këqija, ajo kurrë nuk humbi aftësinë për tu përballur. Në çdo moment të vështirë, unë e dija se Linda ishte aty, gati për të të mbështetur. E admiroja dhe e respektoja për energjinë e saj dhe përkushtimin për të tjerët, për devotshmërinë e saj ndaj asaj që besonte se është e drejtë. Faleminderit Linda për miqësinë ndaj meje e familjes sime, faleminderit për punën e madhe, për kontributin e çmuar që ke dhënë me pastërti e përkushtim njerëzor në punën tonë të përbashkët. Linda, ti ishe përherë e vërtetë me veten e me të tjerët”.

Berisha ngushëllon familjarët e të ndjerës Linda Ihsani
Kryeministri Berisha, me anë të një mesazhi, i ka shprehur sot ngushëllimet familjarëve të të ndjerës Linda Ihsani, për ndarjen e saj të parakohshme nga jeta.

Në këtë mesazh, Kryeministri Berisha shkruan se ”lajmi tejet i hidhur i ndarjes parakohe nga jeta të njeriut tuaj të dashur dhe të mrekullueshëm, bashkëpunëtores sime të çmuar, më ka pikëlluar thellë mua, familjen, bashkëpunëtorët e mi dhe Partinë Demokratike”.

Berisha thekson se “Linda Ihsani ishte simboli i përkushtimit të madh dhe aftësive intelektuale të veçanta, integritetit të lartë njerëzor, eficencës së spikatur në punë, dashurisë dhe respektit për miqtë, për kolegët e saj”.”Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar dhe një mbështetje të madhe në të gjitha detyrat e rëndësishme që ka kryer, për shume vite, si një nga bashkëpunëtoret e mia më të afërta. Sot në zi, së bashku me ju, jemi të gjithë ne që patëm fatin e mirë ta njohim nga afër dhe të bashkëpunojmë shumë vite me Lindën, janë miqtë e saj të shumtë që humbën miken e tyre fisnike, janë të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin Lindën dhe mbarë demokratët shqiptarë që kishin tek Linda një përfaqësuese të tyre, fjalë pakë e punë shumë, një qëndrestare të vendosur”, shprehet Kryeministri.

Në përfundim të mesazhit ngushëllues, Kryeministri Berisha shton se “Linda humbi sot betejën heroike që ajo bëri me sëmundjen e egër, por do të mbetet e gjallë gjithnjë në memorien tonë. Duke ju shprehur ngushëllimet tona më të thella për këtë humbje të madhe, unë dhe Lili lutemi së bashku me ju që shpirti i Lindës tuaj të dashur të gjejë paqen e merituar”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›