E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Statusi, gur i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE

11-10-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi i dorëzoi Kryetares së Kuvendit Progres Raportin

Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi i dorëzoi Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli Progres Raportin me rekomandimin për dhënien e Statusit të vendit kandidat.  Kryetarja e Kuvendit falënderoi përzemërsisht Ambasadorin Sequi për dokumentin e rëndësishëm, dhe i përcolli konsideratat për Komisionin Evropian, dhe vendimin për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. “Ky status është një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin shqiptarët e çmojnë në të njëjtën lartësi me nënshkrimin e MSA në qershor të vitit 2006, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje në vitin 2009 pas ratifikimit në 27 parlamentet e vendeve anëtare, me dorëzimin e kërkesës për anëtarësim nga Kryeministri i vendit, në Pragë në maj 2009, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO prill 2009, me heqjen e vizave në dhjetor 2010. Kjo ngjarje e shumëpritur, është kurorëzim i politikës këmbëngulëse dhe vullnetit tonë të palëkundur për të qenë sa më parë pjesë e familjes evropiane. Si Kryetare e Kuvendit pranoj me kënaqësi këtë dokument, pasi veç të tjerash ai çmon lart veprimtarinë e Kuvendit dhe përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për ta afruar këtë ditë nëpërmjet reformave legjislative dhe politike të standardit më të lartë. Rruga jone ka qenë plot pengesa e vështirësi. Bojkoti, bllokimi, refuzimi për bashkëpunim i janë kundërvënë këtij procesi dhe dokumenti nuk e fsheh këtë, sikurse me të njëjtën transparencë tregon se bashkëpunimi, pjesëmarrja në votim, angazhimi dhe kontributi në reforma e ndihmojnë procesin. Ky dokument çmon arritjet, përparimin e dukshëm dhe evidenton objektivat. Si Kryetare e Kuvendit shpreh besimin e patundur se ne do t’i dalim me sukses këtyre objektivave, pasi kemi vullnetin e palëkundur për t’i çuar përpara, ashtu sikurse bashkëpunimin rezultativ me strukturat e Bashkimit Evropian”, tha Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›