E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Studentët të kontribuojnë për Shqipërinë

Zonja Topalli ishte sot në konferencën dytë rajonale "Brain Gain", organizuar  nga ambasada gjermane në Tiranë.

"Kjo konferencë është mjaft e rëndësishme pasi prek një çështje nga e cila varet ndërtimi i vendeve tona. Sot ne jemi vende të lira dhe jam e vetëdijshme që secili prej jush ka bërë për mirëqenien e vendit të tij. Ky program nxit të rinjtë të marrin pjesë në jetën sociale, politike e ekonomike", tha Topalli.

Duke iu referuar periudhës post komuniste, kryetarja e Kuvendit theksoi se largimi i intelektualëve nga vendi çoi në një humbje të madhe, ndërsa sot falë reformave është bërë i mundur rikthimi i tyre në atdhe. "Largimi i personave të kualifikuar ishte një humbje e madhe dhe vendi u përball me mungesën e kapaciteteve, ndërsa sot Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe të rëndësishme të zhvillimit të kapitalit njerëzor. Sot është rritur numri i studentëve në universitete dhe shumë studentë studiojnë edhe në universitetet e Evropës. Reformat e ndërmarra janë shoqëruar me rikthimin e shumë personave të kualifikuar në atdhe, rikthim që ka bërë të mundur një transformim të vendit", tha ajo.

Kryeparlamentarja siguroi të rinjtë që studiojnë jashtë se ia vlen të kthehesh e të kontribuosh në Shqipëri. "Po ia vlen të kthehesh në Shqipëri, sepse Shqipëria sot është një vend i lirë e demokratik, anëtare e NATO-s, katalizator i reformave të suksesshme. Vendi është një hap drejt integrimit në BE dhe kur kjo të ndodhë ju do të jeni krenarë dhe do të thoni edhe unë dhashë kontribut për vendin", u shpreh Topalli. 

Programi i Bundestagut gjerman jep çdo vit rreth 120 bursa të rinjve nga 28 vende, që kanë një studim universitar. Ai ka objektiv nxitjen e marrëdhënieve bilaterale, të tolerancësë, mirëkuptimit, larmisë kulturore dhe bashkëjetesën paqësore. Programi zgjat 5 muaj dhe që prej 10 vjetësh këtë mundësi e kanë pasur 33 bursantë nga Shqipëria, numri i të cilëve është në rritje. /Start/

                                                                                             2012-05-11 11:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›