E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Synej- Kavaje Rama me retorike te se vjetres dhe pa alternative

Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetare e PD, Jozefina Topalli ishte në komunën Synej, në Kavajë ku shprehu mbështetjen për kandidatin e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar komune, Përparim Çaçi.

Zonja Jozefina Topalli e nisi takimin me banorët e kësaj zone me përurimin e ndricimit të sheshit të komunës. Ajo vlerësoi projektet e investuara për zhvillimin e kësaj zone si dhe siguroi se Qeveria do të shumëfishojë investimet në këtë komunë. Ajo tha se investimet e realizuara në këtë komunë si asfaltimi apo ndriçimi i rrugëve duhet të jenë një model për tu ndjekur edhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama i cili ka lënë në terr dhe me baltë shumicën e rrugëve në kryeqytet.

“Unë po shikoja këtë shesh, do të thoja një piacë e vogël që ndriçon. Por në fakt nuk ndriçon vetëm ky shesh. Ndriçon e gjithë rruga. Do të ishte mirë që t’ia tregonim si model kryetarit të Bashkisë së Tiranës që i ka lënë në terr shumicën e rrugëve të Tiranës. Unë jam e sigurt se në katër vjeçarin e ardhshëm, qeverisja qendrore do të shumëfishojë investimet në komunën tuaj” tha Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit shprehu garancinë se të gjitha projektet që rrisin cilësinë e jetës e të edukimit të fëmijëve tuaj do të kenë mbështetjen tonë. Ndryshe nga alternativa e koalicionit të djathtë, që ka në fokus qytetarin dhe financimin e projekteve në shërbim të interesave të komunitetit, tha ajo, kreu i PS, Edi Rama ka zgjedhur “rrugën e vetmisë” pa afruar asnjë alternativë për qytetarët përveç një retorikë boshe.

“Unë mendoj se investimet e tjera në infrastrukturë, në kanalizime në ujësjellës, në ndriçim por edhe çdo gjë tjetër që kryetari juaj do të paraqesë, do të ketë mbështetjen e qeverisë dhe të mazhorancës aktuale për ta bërë Synein, syrin që shndrin, xhevahirin që natyra ua ka dhënë që të gjithë juve.” u shpreh Kryetarja e Kuvendit e cila ftoi banorët e kësaj zone të ushtrojnë të drejtën e votës duke treguar qytetari dhe maturi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›