Topalli: Ta fitojmë betejën kundër kancerit

Topalli dje gjatë konferencës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi dje nismën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës Së bashku kundër kancerit, që shumë shpejt do të shtrihet në të gjitha qytetet dhe komunat e Shqipërisë. Mjediset e Kuvendit të Shqipërisë ishin ndalesa e radhës e nismës Së bashku kundër kancerit. Në emër të shëndetit të grave dhe për një familje e shoqëri të shëndetshme, kryetarja e Kuvendit tha se beteja kundër kancerit është një betejë, që unë besoj se ne gratë mund ta fitojmë. Sigurisht që kanceri i gjirit, në shpeshtësinë e tij, ka një rritje në të gjithë botën, si edhe në Shqipëri. Ai përbën rreth 20% të sëmundjeve të të gjithë tumoreve që ekzistojnë në mënyrë të veçantë te gratë. Por trajtimi më i mirë i kësaj sëmundjeje, që deri para pak vitesh dukej e frikshme dhe fatale, është ekzaminimi dhe parandalimi në kohë. Me këtë rast, ajo ftoi të pranishmet dhe nëpërmjet tyre çdo grua dhe çdo vajzë që të kryejnë këto ekzaminime të domosdoshme të paktën një herë në vit. Një thirrje të posaçme Topalli ua drejtoi nënave që të rrisin ndërgjegjësimin te vajzat e tyre mbi rëndësinë e parandalimit të kësaj sëmundjeje. Kjo ftesë, kjo thirrje, kjo kërkesë bëhet në emër të shëndetit të gruas. Është një domosdoshmëri në shërbim të fëmijëve, në shërbim të familjes, në shërbim të shoqërisë. Është një ftesë që bëhet me zemër. Ndaj unë do të ftoja çdo nënë, që së pari të kujdesen që vajzat e reja të kryejnë PAP-testin. Sot kanceri nuk është më një sëmundje fatale, nëse ne e parandalojmë. Është detyra jonë ta parandalojmë atë, deklaroi kryetarja e Kuvendit.