E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Të ecim përpara me Qeverinë “Berisha 3”, besoj fort në mandatin e 8-të

24-06-2013 / Gazeta 55

Nënkryetarja e PD, pas mbylljes së procesit të votimit në Shkodër

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deklaroi në rrjetin social facebook, se “festa e Fitores ka nisur në Shkodër si në të gjithë Shqipërinë. Ju siguroj se çdo votë do të numërohet deri në fund, ndërkohë që të dhënat flasin se shkodranët, ashtu si shumica e shqiptarëve duan të ecin përpara me projektin e katër viteve të ardhshme me Qeverinë Berisha 3. Besoj fort në mandatin e 8-të”. Më herët nënkryetarja e PD, znj. Topalli theksoi se, "në qarkun e Shkodrës pjesëmarrja në votime është më e lartë se katër vite më parë". Në një prononcim për mediat, Topalli tha se "kjo më bën të ndihem optimiste dhe natyrisht jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë ka një pjesëmarrje të madhe, pasi ka një përgjegjësi të madhe për të ecur përpara në katër vitet e ardhshme"."Ne kemi bërë çdo përpjekje dhe ajo që kemi bërë në Shkodër gjatë fushatës është gjëja që më inkurajon më shumë, më bën të mendoj se Shkodra mund të zgjedhë edhe mandatin e tetë, por le të presim rezultatin. Unë e shoh me shumë optimizëm këtë pjesëmarrje të qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk pranojnë të kthehen mbrapa , por ata kërkojnë që të jemi civilë, qytetarë që të ecim përpara për një Shqipëri të zhvilluar, të integruar dhe shumë punësim", theksoi Topalli. Në tërësi, vijoi Topalli, procesi i votimit është normal. "Në të gjitha qendrat vazhdon votimi me qetësi e përgjegjshmëri të lartë për rëndësinë e madhe të kësaj dite, sepse secili është i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm dhe vetëdijshëm se sot vendoset për vitet e ardhshme të jetës së tyre dhe familjes së tyre", u shpreh Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›