E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Jashtëm izraelit sot në Tiranë

Lieberman do të takohet me krerët më të lartë të vendit,  me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Siparin e takimeve, Liberman do ta nisë me një takim jashtë kamerave me ministrin e Jashtëm, Haxhinasto gjatë pasdites së sotme, ndërsa të mërkurën priten takimet e tjera me krerët e lartë të shtetit.

"Në këtë vizitë pritet të diskutohen çështje të agjendës dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe perspektiva e tyre", thekson Ministria jonë e Jashtme, duke mos deklaruar asgjë konkretisht se çfarë do të diskutohet në këto takime.

Gazeta izraelite “The Jerusalem Post”, shkruante të dielën se Lieberman do të kërkojë nga Shqipëria një votë kundër në OKB për krijimin e shtetit palestinez, votim i cili pritet të zhvillohet gjatë muajit shtator. Ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë për këtë çështje Tirana zyrtare.

"Vizita e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm izraelit përkon me zhvillimin e Forumit të parë të Biznesit Shqipëri-Izrael, aktivitet i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, hapja e të cilit do të përshëndetet nga Kryeministri Berisha", thuhet më tej nga MPJ-ja. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-28 12:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›