Topalli: Udhëheqja e PS-së, celulë anti-evropiane – sjellja e Topit, fyerje për karrigen e presidentit
“Lidershipi i Partisë Socialiste është kthyer në një celulë anti-evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila po qendron në Pragë për një vizitë zyrtare
Zonja Topalli, aktualisht jemi në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Çka mund të pritet nga ky raport, duke pasur parasysh, veçanërisht, kërkesën e Shqipërisë për status të vendit kandidat për pranim në Bashkimin Evropian? Unë do ta ndaja në dy pjesë: e para – në tërësi, raporti besoj se është realist dhe do të jetë pozitiv, ashtu siç është klima në tërësi në Shqipëri. Këtu kam parasysh situatën ekonomike, pavarësisht nga fakti se Shqipëria është e rrethuar nga kriza në Greqi në jug, në Itali në perëndim dhe nga vendet, të cilat janë në vështirësi ekonomike. Në këtë kuptim, modeli i Shqipërisë, si model ekonomik, ka funksionuar, meqë vendi ynë asnjëherë nuk ka qenë në recesion, ndryshe nga shumë vende, që jo vetëm na rrethojnë, por edhe përtej atyre, që i kemi afër. Ndërsa, sa i takon aspektit të statusit të vendit kandidat, unë besoj se shqiptarët do ta paguajnë edhe një herë bojkotin dhe bllokadën që opozita i ka bërë Parlamentit, gjatë këtyre dy vjetëve. Është një çmim, që shqiptarët e pafajshëm duhet ta paguajnë për një politikë ose për lidershipin e një partie, që, me sa duket, është edhe një lloj celule anti-evropiane. Natyrisht, unë ndjehem keq kur e them një gjë të tillë, por ne duhet të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është. Si kryetare e Kuvendit, unë është dashur të përballem me frymën e anti-parlamentarizmit dhe në tërësi të anti-shtetit. Në këtë kuptim, shqiptarët duhet të paguajnë për diçka që nuk e meritojnë, për diçka që nuk e kanë bërë, por mendoj se është edhe momenti që secili prej shqiptarëve duhet ta pyesë veten nëse ia vlen më që t’i përgjigjesh një lidershipi të një partie, që është kthyer edhe në një celulë anti-evropiane. E përmendët bojkotin politik të opozitës. Por, edhe pas kthimit të saj, prapëseprapë, duket se gjërat nuk po lëvizin. Këtu kam parasysh veçanërisht kërkesën e opozitës për ndryshim të rregullores së punës së Kuvendit, përfshirë votimin e fshehtë... Kjo është një justifikim ose përpjekje e dështuar për të gjetur një mburojë nga sytë e shqiptarëve dhe gjithë botës, pasi ata, në fakt, vazhdojnë ta bojkotojnë votimin e ligjeve me 3/5. Kuvendi i Shqipërisë, gjatë dy vjetëve, ka votuar 400 ligje, që ishin ligjet e reformave të mëdha ekonomike dhe kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos kalojë në recesion. Në fund të fundit, detyra jonë është që të shohim se sa para shkojnë në xhepat e shqiptarëve. Ajo që ata përpiqen ta përdorin si mburojë, në fakt nuk mbulon, sepse është vetëm gjethja e fikut. Pavarësisht nga kjo, ne jemi të hapur për të përmirësuar çdo gjë që mund të përmirësohet edhe në raport me rregulloren e Kuvendit, edhe në raport me ligjet e tjera. Nëse ka ndonjë nen, që bie në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit Evropian, padyshim që jemi të hapur për ta përmirësuar, megjithëqë kam bindjen e thellë dhe këtë e them me një ndërgjegje të plotë, se rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është ndër rregulloret më moderne dhe më demokratike që ekziston sot në Evropë. Po përse atëherë e kundërshtoni votimin e fshehtë në parlament, që personalisht e keni sugjeruar? Jo. Ndoshta nuk jemi kuptuar mirë. Dekretet e presidentit nuk mund të votohen kurrë në mënyrë të fshehtë, sepse nuk votohen në mënyrë të fshehtë në asnjë vend. Sa u takon emrave të tjerë, që do të zgjidhen në institucione të ndryshme, le t’u qëndrojmë atyre modeleve, siç i përdor edhe Evropa. Natyrisht mund ta adaptojmë - po të kemi kurajë për t’i mos fshehur vetvetes dhe ndërgjegjes sonë - ta përdorim edhe votën që përdor Kongresi dhe Senati Amerikan. Unë personalisht mendoj se përpara shqiptarëve duhet të themi se nuk kemi përse të fshihemi pas asgjëje, as pas kutive të votimit, as pas perdeve, për të thënë që vullneti im politik është ky.
...