Topalli-Veljanovski: E ardhja e dy vendeve është në NATO dhe BE
E ardhmja e Shqipërisë dhe Maqedonisë është në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ky mesazh është dhënë dje nga kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski në një konferencë të përbashkët në Shkup. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Veljanovski theksoi se Maqedonia çdoherë ka marrë mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
Veljanoski
“Ne Shqipërinë e kemi edhe një mik në NATO dhe çdoherë prej saj marrim mbështetje për anëtarësimin tonë në Aleancë. Së bashku kemi një rrugë për integrim edhe të Maqedonisë dhe të Shqipërisë në familjen evropiane dhe jemi të bindur se shpejtë do të vijë dita kur do të jemi anëtarë të saj. Ardhmëria e Maqedonisë dhe e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeparlamentari Veljanoski.
Topalli
Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Topalli theksoi se dy shtetet në të kaluarën asnjëherë nuk kanë pasur projekt më të gëzuar të përbashkët se anëtarësimi në BE dhe në NATO dhe se së bashku duke ndërtuar besim dhe marrëdhënie të mira ndërnjerëzore duhet të punojnë në interes të qytetarëve. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se shpreson se Maqedonia do të merr sinjal pozitiv në Samitin e NATO-s në Çikago, sepse, siç tha, këtë e meriton. “Shqipëria është mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Me këtë rast dëshiroj t’i përsëris fjalët e kryeministrit tonë Sali Berisha i cili tha se Maqedonia formalisht nuk është anëtare e NATO-s, por se atë që e ka bërë, me të gjitha reformat dhe angazhimet ajo tani më është kjo që është”, theksoi Topalli. Veljanoski dhe Topalli biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik, ndërsa u bë fjalë edhe për marrëdhëniet ndëretnike. “Biseduam edhe në tema të tjera dhe u dakorduam se të gjitha çështjet që paraqiten gjatë jetës së përditshme në dy shtetet është mirë që po zgjidhen në mënyrë institucionale dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase”, tha Veljanoski. Topalli pajtohet me qëndrimin e tij dhe shtoi se me rëndësi të jashtëzakonshme dhe përgjigje e vetme ndaj dhunës ose një incidenti të caktuar, të reagohet shpejtë, në mënyrë të duhur dhe në mënyrë institucionale.
Jovanoviç: Daçiç është si Millosheviç
Lideri i Liberaldemokratëve serbë, Çedomir Jovanoviç, e ka krahasuar ministrin e brendshëm serb Ivica Daçiç me ish-liderin e partisë së tij Sllobodan Millosheviç. Gjatë një fushatë në Preshevë, Jovanoviç duke iu referuar arrestimit të policëve kosovarë ka deklaruar se ministri i brendshëm serb Daçiç ka shumë Millosheviç brenda vetes. Gjithashtu në fjalimin e tij në Preshevë, Jovanoviç ka theksuar se partia e tij do të luftojë për të drejtat e shqiptarëve atje ashtu sikurse do të luftojë edhe për të drejtat e serbëve në Kosovë. Është vështirë të jesh shqiptar në Serbi, është vështirë të jesh edhe serb në Kosovë. Por, kjo peshë është e madhe veçanërisht për shkak të politikës së keqe që është. Unë nuk kam të drejtë të kërkojë nga ju atë që e kërkoj nga serbët, nga ata kërkoj ta ndryshojmë Serbinë, e nga ju kërkoj vetëm durim. Janë edhe 30 ditë kur do të votojmë dhe do ta zgjedhim një qeveri që do të vijë këtu në Preshevë dhe do të shkoj edhe në Prishtinë dhe do ta kuptoj se vetëm kjo është shkurtesa për tu lidhur me botën. Gjithçka tjetër është gënjeshtër, tha Jovanoviç. Ai ka thënë se popullit duhet thënë të vërtetën dhe se Kosova tashmë është një shtet, por tani duhet punuar së bashku. Sot Hashim Thaçi ka shkuar tek Obama. Ka shkuar deri në Amerikë. Mendoj se Beogradi është më afër për Prishtinën se Uashingtoni. Udhëtohet me orë. Kosova dhe Serbia do të jenë të lumtura vetëm atëherë kur Thaçi të vijë në Beograd. E nëse Tadiç jep dorëheqjen, do të bëj gjithçka që të jem unë i pari që do të shkoj në Prishtinë, theksoi Jovanoviç.
Veriu, Kosova i kërkon ndihmë SHBA
Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti. Me këto fjalë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka paraqitur situatën e fundit në veri kongresmenëve amerikanë që po vizitojnë Kosovën. Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga zyra e Krasniqit thuhet se, kryeparlamentari ka informuar zyrtarët amerikanë se Beogradi nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe se po krijon probleme në veri, siç ishte rasti i arrestimit të dy policëve në territorin e Kosovës dhe funksionimi i strukturave kriminale. Delegacioni amerikan përbëhej nga kongresmenët David Dreier, David Price, Jim McDermot, Eric Paulsen dhe Gerry Conelly. Zoti Krasniqi i ka informuar gjithashtu zyrtarët e Shteteve të Bashkuara mbi vështirësitë që po has Kosova, si zhvillimi i dobët ekonomik, papunësia e lartë, sundimi i rendit dhe ligjit, si dhe njohjen nga 5 vendet e mbetura të BE-së. Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit, David Dreier është shprehur krenar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe për ndihmën që vendi i tij po i jep shtetit të ri. Më herët kongresmenët u takuan me presidenten Atifete Jahjaga, e cila duke folur për problemet e pakicës serbe nënvizoi se, pakoja e Ahtisarit ofron një gamë të gjerë të drejtash për serbët, duke e cilësuar atë si zgjidhjen më të mirë për integrimin e këtij komuniteti.