Ban Ki-moon Irakut: Ndaloni ekzekutimet
Nëpërmjet një deklaratë të dhënë për media, sekretari i përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-moon, i ka bërë të enjten thirrje Qeverisë së Irakut që të ndalojë ekzekutimet në vend.
Sekretari i OKB’së u shpreh tejet i shqetësuar me vazhdimin në rritje të numrit ekzekutimeve të të dënuarve me vdekje në Irak.
Në raportin e sekretarit Ki-moon thuhet se ndërmjet muajit janar dhe nëntorit të vitit 2011 në Irak janë ekzekutuar 68 persona, ndërkohë që vetëm brenda periudhës nga dhjetori i vitit 2011 e deri në shkurt të vitit 2012, janë ekzekutuar 80 persona që ishin dënuar me vdekje. Tutje, në raportin e të parit të OKB’së po ashtu thuhet se të ekzekutuarit ishin dënuar në bazë të ligjeve kundër terrorizmit.
“Si rrjedhojë, kërkoj nga autoritetet e Irakut që të vendosin një moratorium mbi zbatimin e dënimit me vdekje në vend”, nënvizon, mes tjerash, Ban Ki-Moon.