Topalli-Wollfarth: Të përfundojë sa më shpejt reforma zgjedhore

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka kërkuar përmbylljen së më shpejt të reformës zgjedhore. Duke folur në konfernecën "Trashëgimia zgjedhore evropiane", kryeparlamentarja Topalli theksoi se reforma zgjedhore dhe heqja e imunitetit duhet të përfundojë përpara mbylljes së sesionit parlamentar.
Në Komisionin e Reformës Zgjedhore është bërë një punë e madhe dhe e mirë, ndaj ftoj njerëzisht që ajo që ka mbetur të përfundojë sa më shpejt. Tani është finishi dhe kjo punë duhet të mbyllet. Nuk ka kohë për tu humbur. Reforma zgjedhore duhet të përfundojë shpejt. Sesioni po shkon drejt mbylljes dhe duhet të hiqet edhe imuniteti. Mazhoranca është e gatshme për çdo rrugë që opozita dëshiron për të zbatuar një standart të tillë. Është koha tani pasi shqiptarët duan statusin, ata nuk e falin bllokimin, këtë e kanë treguar" shtoi Topalli.
Ajo gjithashtu ka theksuar se Shqipëria ka bërë përpjekje të ndershme dhe progres për të realizuar zgjedhje transparente dhe konkurruese. Maxhoranca, tha Topalli ka vullnetin e mirë për të zbatuar dokumentin e këshillit të Europës, Kodin e Praktikave të mira Zgjedhore si dhe rekomandimet e ODIHR.
Të njëjtën mendim ka shprehur edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth. Ai I ka kërkuar partive politike që të tregojnë vullnet politik dhe të përfundojnë në kohë reformën zgjedhore.
“OSBE-ja i ka mëshuar përmbushjes të të gjitha standarteve zgjedhore ndërkombëtare. Vija e finishit është afër por vetëm për ata të cilët kanë vullnet politik. Çdo reformë e mirë duhet të jetë në gjendje t`i rezistojë provave të kohës. Përmbyllja në kohë e reformës do të bëjë të mundur që KQZ-ja të nisë përgatitjet e nevojshme dhe të efektshme. Nevojitet përfundimi në kohë i reformës zgjedhore dhe përmbushja e kësaj detyre kërkon që udhëheqësit politik t`i lënë mënjanë interesat partiake dhe vetjakë, e të nderojnë besimin që ju kanë dhënë shqiptarët ” shtoi Wollfarth.
Duke e konsideruar shumë të afërt vijën e finishit, siç tha ai, për ata që kanë vullnet politik, shtoi se “na mbetet ende të shohim nëse udhëheqësit shqiptarë do të udhëhiqen nga një ndjenjë më e madhe përgjegjësie.”
Konferenca e sotme mbahet ne 10 vjetorin e dokumentit Këshillit të Europës për praktikat e mira elektorale, te cilin Topalli e cilësoi si Kushtetutën e zgjedhjeve, pasi sipas saj, është dokumenti që të gjithë i referohen.