E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli denon dhunen e opozites ne Kuvend

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli reagoi pas incidenteve që krijuan deputetët e grupit socialist gjatë votimi në Kuvend të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në KLD. Menjëherë pas përfundimit të seancës kryeparlamentarja Topalli bëri një sqarim të gjatë të mënyrës së funksionimit të votimit në Kuvend dhe dënoi sjelljen e opozitës dhe sidomos të kryetarit të grupit socialist për bllokim të funksionimit të parlamentarizmit.
“Për herë të parë sot, grupi i opozitës dhunshëm kërkoi të ndryshoheshin këto procedura, kërkoi që ti rrëmbente kompetencën skretariatit të votimit dhe procesi i votimit të administrohej sipas urdhrave që Gramoz Ruçi i merrte me telefon. Në këtë akt dhune, Gramoz Ruçi, pasi konsumoi kërcënimet për bllokim të votimit, rrëmbeu fletët e votimit për të mos lejuar votimin me fletë”-deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Zonja Topalli sqaron se kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet parlamentarizëm kur çdo deputet voton brenda parlamentit, kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet demokraci, kur çdo shqiptar voton në zgjedhje.
“Ky veprim i dhunshëm i drejtuar nga Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste z.Gramoz Ruçi është forma më e shëmtuar e praktikave recidiviste me të cilat partia socialiste, kërkoi prej më shumë se dy vjetësh të mbante Shqipërinë larg prej procesit të integrimit. Ky veprim u krye në kundërshtim flagrant me procedurat që përcakton rregullorja për votimin, me praktikën 20 vjecare parlamentare për këtë çështje dhe në shkelje të vendimit përkatës të Komisionit të votimit”- u shpreh Topalli.
Për të gjitha këto arsye Kryetarja e Kuvendit shprehu mospajtimin e saj të hapur dhe publik me këtë shfaqje të shëmtuar dhe i bën thirrje Grupit parlametar të PS-së të analizojë me përgjegjësi veprimin dhe t’i kthehet parlamentit dhe shtetit ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›