E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli i kërkon Indonezisë të loboi për Kosovën

Me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Indonezisë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli bëri një vizitë në Indonezi. Ajo u prit nga kryetari i Parlamentit, Marzuki Alie me të cilin njihet prej vitesh. Kjo është vizita e parë e një politikani të lartë nga Shqipëria në Indonezi. Kjo vizitë vlerësohet jo vetëm për faktin se Indonezia është një vend i madh me një popullsi prej 260 milionë banorësh, por edhe sepse në këtë kohë të krizës globale ajo bashkohet me Kinën dhe Indinë në grupin e vendeve me ‘emerging economy’. Indonezia është vendi më i madh islamik me demokraci.

Në takimin me Marzuki Alie, kjo u vlerësua si vizitë historike, si një gur i rëndësishëm në raportet mes Shqipërisë dhe një vendi të madh si Indonezia. Pak muaj më parë një delegacion parlamentar nga Indonezia u prit nga Kryetarja e Kuvendit, në takimin me të cilët zonja Jozefina Topalli pranoi ftesën për të vizituar Indonezinë. Gjatë qëndrimit të Kryetares së Kuvendit u zhvillua asambleja e PUIC ku merrnin pjesë një numër i madh parlamentarësh nga një pjesë e rëndësishme e vendeve të botës. Fokusi kryesor i fjalës së saj në këtë asamble ishte kërkesa ndaj atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për ta bërë një gjë të tillë. Në asamble mori pjesë edhe Presidenti i Indonezisë Susilo Bambang Hudhoyono.

Në takimin me autoritetet më të larta të Indonezisë, kryetarja Jozefina Topalli i kërkoi këtij vendi të madh që të ushtrojë ndikimin e tij ndaj vendeve pjesëmarrëse, për të rritur numrin e atyre vendeve që kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në botë si një kontribut për paqen dhe stabilitetin. Kryetari i Parlamentit të Indonezisë, disa herë falënderoi Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë për mbajtjen e premtimit për të vizituar Indonezinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›