E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në gjykatë, dy mbeten në burg

Gjykata e Lezhës ka shtyrë për sot masën e sigurisë për tre të arrestuarit e tjerë, për shkak të masave të sigurisë

LEZHË Gjykata e Lezhës ka lënë në masën e sigurisë “burg pa afat” Viktore Bërshimin dhe Ermal Lulashin. Ata janë arrestuar për ngjarjen tragjike që ka ndodhur në gjykatën e Lezhës të premten, ku mbeti i vrarë Endri Bejtja dhe u plagosën pesë të tjerë, pas një sherri me armë që ka ndodhur në këtë gjykatë mes të afërmve të dy familjeve që ndodheshin në një seancë gjyqësore në gjykatën e Lezhës. “Ndërsa për tre të tjerët të arrestuar, Mhill Ndreu, Sokol Seidia dhe Alban Deda, pritet që gjykata të marrë vendimin ditën e sotme”, - bënë të ditur burime zyrtare të kësaj gjykate. Të arrestuarit janë ndarë në dy grupe, nisur edhe nga përplasja që ata kanë pasur, e cila ka çuar edhe në përdorimin e armëve. Dje në orën 10:00, Bërshimi dhe Lulashi janë sjellë në gjykatë nga toga e policëve të burgut të Shënkollit, ndërsa përreth gjykatës ka pasur forca të shumta policie dhe efektivë të forcave speciale duke kaluar në ‘sitë’ të gjithë personat që lëviznin në afërsi të gjykatës dhe brenda saj, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Ndaj Bërshimit dhe Lulashit organi i akuzës ka ngritur akuzat: “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa do jetë ekspertiza që do përcaktojë se cila nga armët është përdorur nga ana e tyre, pasi ata janë kapur në vendin e ngjarjes. Konflikti ka nisur për motive pronësie, pasi familja Deda kishte hapur gjyq me familjen Ndreu, duke pretenduar se kishte ndërtuar një lokal dhe hotel në tokën truall në pronësi të tyre në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Policia shprehet se përleshja me armë ka nisur në oborrin e gjykatës mes fiseve Ndeu dhe Dedaj, por pamjet tregojnë se konflikti ka vijuar edhe brenda ambienteve të gjykatës. Si pasojë e konfrontimit mbeti i vdekur Endri Betaj, 35 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›