E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli inkurajon të rinjtë të rrisin interesin për matematikën

TIRANË- Të rinj dhe të reja gjimnazistë vizituan sallën e Seancave Plenare, ku në një bisedë të hapur me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, u njohën me rolin, funksionimin dhe procedurat parlamentare.

Duke zënë vendin e deputetëve e ministrave, të rinjtë e shndërruan takimin në një seancë ku u përcoll interesi dhe kureshtja e tyre mbi mënyrën se si punohet në Kuvend, ligjet që kalohen dhe votimi i tyre, reformat dhe procesi drejt integrimit evropian.

Kryetarja e Kuvendit përcolli për të rinjtë një mesazh duke i inkurajuar ata të fokusojnë interesin e tyre për matematikën, si një ndër shkencat më të rëndësishme bashkëkohore që ecën me zhvillimin e teknologjisë dhe epokën dixhitale në të cilën ne jetojmë.

Ajo bisedoi me të rinjtë mbi dëshirat dhe profesionet që ata kanë për të ardhmen e tyre, duke i nxitur për të qenë të suksesshëm në jetë, të zgjerojnë njohuritë e tyre në shkenca ekzakte, ato sociale, art, muzikë, kulturë, sport etj.

"Jetojmë në epokën e globalizimit, unë ju ftoj të bëni çdo gjë për të studiuar matematikë, si një ndër shkencat që ecën me ritmin e moshës dixhitale. Matematika është një shkencë e bukur, ndër më të lashtat, e cila të tërheq me magjinë e numrave të saj. Por jo vetëm, unë ju sugjeroj që ju të bëni maksimumin për të shkëlqyer në çdo fushë, në art, muzikë, sport dhe kudo, për t’i siguruar vetes suaj një të ardhme të suksesshme dhe lumturi prindërve", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›