E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli mbështet Berishën për kompetencat e Presidentit

“Shumë vende të Europës për gjykatat propozojnë Parlamentin dhe pushtete të tjera”

Mazhoranca këmbëngul në idenë e saj për t’i hyrë në pjesë Presidentit dhe kompetencave të tij. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka mbështetur propozimin e Kryeministrit Berisha për të ndjekur modele të reja për emërimin e gjyqtarëve. “Në vendet e tjera të Europës ka disa organe shtetërore ose pushtete që bëjnë propozimin”, tha kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Në seancën e fundit të Kuvendit, ishte Kryeministri Berisha që kërkoi një ndarje të propozimeve për emërimin e gjykatësve mes Presidentit, Parlamentit dhe Ekzekutivit. Duke dhënë shembuj të modelit francez, Kryetarja e Kuvendit theksoi dje se “në Francë, një e treta propozohet nga Parlamenti, një e treta tjetër nga kryetari i Senatit, pjesa tjetër që mbetet nga një pushtet i tretë”. Në paralele me mënyrën tonë të sjelljes së propozimeve dhe emërimeve të gjykatësve, modeli më i afërt është modeli amerikan. Modeli hungarez ka votim të mbyllur për dekretet, ndërsa modeli i Polonisë është i hapur. Gjatë kësaj jave përfundon afati trejavor për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë. Të tre kandidaturat do të marrin pjesë në tri seanca dëgjimore, nga e hëna deri të martën në Komisionin e Ligjeve. Topalli, duke iu referuar Kushtetutës, thotë se është detyra e Parlamentit të japë një vlerësim substancial që, sipas saj, nuk është votimi individual i deputetit. “Vlerësimi substancial është i institucionit të Kuvendit. Do të ishte papërgjegjshmëri nëse në një votim të fshehtë, një deputet i caktuar, për shkak të një lidhjeje miqësore, të një njohjeje personale të jepte një vlerësim mbi një institucion kaq të rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor”, thotë Topalli. Interpretimi i Kryetares së Kuvendit është se “Kushtetuta thërret Kuvendin në përgjithësi si institucion dhe jo në emrin individual të deputetit”. Topalli e quan votimin e hapur si një përgjegjësi për institucionin qendror të Kuvendit për emërimet dhe një shans për opozitën për të gjykuar mbi vendimet që merren si institucion në përgjithësi. “Në arsyetimin konstitucional, në doktrinën e drejtësisë, në seriozitetin e modeleve të ofruara për çdo çështje, çdo propozim, nga çdo grup propozues, kjo më jep kënaqësi, sepse pas 20 vitesh, Parlamenti është në momentin që kërkon kompromis, kërkon raport përgjegjësie ndaj shtetit dhe ndaj qytetarit në raport me ekonominë, padyshim në raport me heqjen e vizave dhe integrimin e vendit”, thotë Topalli. Sipas saj, këto modele janë diskutuar në pesë mbledhje të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Argumentimin e saj, Kryetarja e Kuvendit e mbështeti nga diskutimet me grupe deputetësh, nga konstitucionalistë dhe analiza të sjella prej Komisionit të Venecias, nga analiza dhe raporte studimesh që vijnë prej Senatit amerikan, nga Kongresi amerikan, Bundestagu gjerman, Asambleja Kombëtare franceze, Parlamenti polak dhe nga Parlamenti hungarez.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›