Elvira Diamanti: Do ta pasuroj Arkivin e Filmit
Vetëm gjashtë muaj më parë Elvira Diamanti bëri një tjetër kapërcim në karrierën e saj: u emërua në krye të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Aktorja e identifikuar pashmangshëm me rolin e saj të Marigosë, pas viteve ’90 i është dhënë më shumë sfidave institucionale. E tërhequr nga skena e teatrit dhe e filmit, për arsye vetjake, por edhe të rrethanave, Diamanti synon sfida të reja. E pandërgjegjshme më parë për pasurinë që ruhet në institucionin që drejton, aktorja kërkon të japë maksimumin. Por nostalgjia mbetet. Nuk janë të pakta rastet kur do të donte të ishte mes aktorëve që përkulen lehtas në skenë teksa publiku i duartroket
Elvira Diamantin e gjen në zyrën e improvizuar të katit të parë. Godina e Arkivit të Filmit vazhdon të rikonstruktohet, një punë e nisur më herët. Prej vitesh e tërhequr nga skena, aktorja u emërua gjashtë muaj më parë drejtoreshë e këtij institucioni. Ishte një tjetër kapërcim në karrierën e saj. Puna në Arkivin e Filmit nuk pikëtakohet me përqasjet që mund të bëhen së jashtmi për një aktore filmi. Për një pjesë të mirë të njerëzve Elvira Diamanti është ajo që kanë parë në ekranin e para 90-ës. Sërish për pjesën më të madhe ajo është Marigoja e “Përrallë nga e kaluara”. Tërheqja nga aktrimi e nxitur nga arsye vetjake por edhe nga rrethanat, i ka dhënë kohë të kryejë edhe funksione administrative. “është përgjegjësi e madhe të kesh në zotërim për të menaxhuar, për të ruajtur e mbi të gjitha për të promovuar një material filmik që në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtohet dhe që është pasuri kombëtare. Në të gjitha drejtimet e tjera është një punë shumë e bukur dhe unë po përpiqem të jap maksimumin tim”, thotë Diamanti teksa flet për punën në Arkivin e Filmit. Vetëm pak muaj më parë ajo drejtonte Teatrin e Kukullave, një detyrë që nuk e quan ndonjë kapërcim të madh në karrierën e saj. Shprehet se veç gjërave të vogla që ia mësonte përvoja(kukulla marionetë, kukulla në gropë apo llojet e ndryshme të shfaqjeve) e njihte skenën dhe çfarë kërkohet të ngjitet në të. Mendon se Arkivi i Filmit kërkon një tjetër angazhim. Puna e derimëtanishme në këtë institucion e ka bërë që të listojë së paku disa prioritete. Pasurimi i arkivit është ndër të parët. “Ne kemi filluar ndërkohë të mbledhim materialet filmike që datojnë para kohës së komunizmit. Për aq sa mund të kenë mbetur akoma pretendojmë t’i gjejmë në arkivat e vendeve fqinj. Njëkohësisht duam të sigurojmë edhe shumë materiale filmike të pas viteve ’90, por këtu çështja komplikohet. Në mungesë të një grupi xhirimi të Arkivit të Filmit që do të realizonte për ngjarje të rëndësishme kronika të paanshme, është shumë e vështirë të arkivosh kronika të televizioneve që kanë këndvështrime të caktuara për momente të rëndësishme”, shprehet Diamanti, duke iu referuar më tej rikonstruksionit të plotë të kinemasë së këtij institucioni. “Do të jetë në funksion të plotë për premiera filmash apo edhe aktivitete të tjera”, thotë ajo. Elvira Diamanti e njihte më parë Arkivin e Filmit për së jashtmi. “Nuk kam qenë e ndërgjegjshme për pasurinë që ruhet këtu. Mund të dish që ekziston një arkiv filmi ashtu siç ka edhe një arkiv shteti, të duket gjë normale që ekzistojnë kujtime, materiale, por është tjetër gjë kur bëhesh pjesë e këtij institucioni. Unë kam edhe një lloj nostalgjie për ato që janë ruajtur këtu sepse motra ime bashkë me Sonja Mamaqin janë dy gratë e para operatore e po ashtu bashkëshorti i saj ka dhënë një kontribut të madh në regjistrimin e këtyre materialeve”, tregon Diamanti. I duhet më shumë kohë të kuptojë thellësisht atë cak mund të çohet më tutje në këtë punë që ka marrë përsipër. Në fakt, sot artistët ndjekin dy kahe: ka nga ata që i përkushtohen thuajse plotësisht krijimtarisë e të tjerë që me kalimin e viteve zgjedhin të jenë më shumë zbatues të politikave kulturore. A është një sfidë kjo për një artiste? “Nëse pretendon që çdo gjë ta bësh vet, sigurisht që nuk ia del dot, por mua më pëlqen puna në grup. Mjafton dëshira për të bashkëpunuar sepse te Arkivi i Filmit unë kam gjetur një ekip shumë të mirë”. Në fakt sa herë që flitet për të, nuk mund të mos i bëhet pyetja se pse vendosi të shkëputet nga teatri apo filmi. Imazhi i saj publik sot mbetet sërish në konturet e roleve të filmave të hershëm apo të pjesëve të dikurshme teatrore. Vet ka pranuar se në film nuk mund të realizojë një tjetër rol si Marigoja, me sa duket i destinuar të mbetet figura më popullore për shumë kohë. Pas një mungesë të gjatë në ekranin e kinemasë, shfaqja e fundit e Elvira Diamantit ishte vetëm vitin e shkuar në filmin “Ne dhe Lenini”, i regjisorit Saimir Kumbaro. Roli e kërkonte që ajo të “dublonte” pak a shumë veten në realitetin e përditshëm: të ishte drejtoreshë. Këtë radhë jo e tempullit të fëmijëve, por e një azili pleqsh. Ndërsa angazhimi i fundit teatro për të shënohet diku në vitet 2000. Por tërheqja nuk presupozon definicionin përfundimtar të këtij termi. Elvira Diamanti është një spektatore apo thënë ndryshe një vëzhguese e gjithë asaj çka ndodh në mjedisin teatror shqiptar. “Prej vitesh jam shkëputur dhe i kam parë më ftohtë gjithçka që lëvrin në mjedisin tonë. Unë nuk i kam kërkuar angazhimet. Shoh me shumë kënaqësi se çfarë po ndodh në teatër, por mendoj se nuk mund të japësh maksimumin në dy drejtime. Unë kam zgjedhur t’i përkushtohem maksimalisht punëve që kam zgjedhur. Teatri kërkon angazhim shumë të madh dhe mbi të gjitha më duket se në këtë rast duhet të sakrifikoj familjen. Përsa i përket filmave as nuk i kam refuzuar, por as nuk më janë ofruar”, thotë ajo. E teksa biseda rrokulliset natyrshëm për filma të kohëve të fundit, për shfaqje teatrore, për X apo Y personazh, në shprehjen e saj lexon qartë se Elvira Diamanti ka bërë një tërheqje nga skena udhëhequr më së shumti nga arsyeja. A i mungon komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun? “Ka raste që më mungon. Ndodh që kur dëgjon apo shikon pjesë të arrira në teatër ose shikon realizime të mira të kolegeve të tua, normalisht që ke dëshirë të jesh pjesë e asaj gjëje, pjesë e atyre duartrokitjeve. Por mua më pëlqen puna që bëj, përndryshe nuk do të kisha qëndruar”, thotë çiltër Diamanti, e cila larg skenës kërkon të përmbushë të tjera qëllime.
#