Mëkatet e gjyqtarëve të Pangos
Specialisti juridik i Kuvendit Popullor gjatë viteve të komunizmit, aktualisht gjyqtar në Tiranë, Agim Bendo, ka marrë një “vërejtje” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë vitit 2000. Kryegjyqtari i “Pangos” njihet gjithashtu edhe si personi që ka futur në burg ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili më pas fitoi një dëmshpërblim për burgim të padrejtë në bazë të vendimit të Bendos. Ndërkohë, gjyqtari Bledar Abdullai është proceduar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2007 në skandalin e “lirimit të të dënuarve gjoja të sëmurë”, ndërsa emri i gjyqtares Majlinda Dogga figuronte në dosjen “Fazlliç”, pas një vendimi që ka dhënë për shitjen e firmës “CROWN ACQUISITIONS” te qipriotët.
Agim BendoKarriera e zotit Agim Bendo nis që në kohën e komunizmit, ndërsa me kalimin e viteve ka qenë edhe anëtar i KLD-së, si dhe kryetar i Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2000, sipas buletineve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emri i Bendos radhitet me numër rendor 51 për marrje mase disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit. Mësohet se vërejtja është dhënë për mangësi gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa një “goditje” për Bendon ka qenë pafajësia e ish-kryeministrit Fatos Nano. Ky i fundit është arrestuar më 31 korrik të vitit 1993 dhe qëndroi në qeli deri më 13 mars të vitit 1997. Më 3 prill të vitit 1994, Nano u dënua në Gjykatën e Tiranës prej gjyqtarit Agim Bendo me 12 vjet burg nën akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim në favor të personave të tretë” të ndihmave italiane për Shqipërinë. Ndërkohë, rreth vitit 2002, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi të dëmshpërblejë me 71 milionë lekë Nanon për 4 vitet e burgut, duke rrëzuar në këtë mënyrë vendimin “e fajësisë” së Bendos. Ish-kryeministri ka kaluar në qeli rreth 1462 ditë burg nga të cilat 310 i përkasin kohës së paraburgimit, dhe e gjitha kjo ndodhi pas vendimit të dhënë nga gjyqtari i “Pangos”. “Mëkatet” e zotit Bendo vazhdojnë më tej në të tjera vendime të diskutueshme. Gjykata e Tiranës, ku në Kolegjin Penal ka qenë edhe Bendo, ka shpallur të pafajshëm dy mjekë që akuzoheshin për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e foshnjës 16 muajsh O.D. Prokuroria e Tiranës kërkoi në gjykatë se mjekët duhet të dënoheshin me burg, ndërsa togat e zeza kanë shpallur pafajësinë e bluzave të bardha. Ndërkohë, në të kaluarën e afërt, gjyqtari Bendo ka rrëzuar edhe një padi civile të viktimave të Gërdecit. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e kryesuar nga gjyqtari i vetëm, Agim Bendo, vendosi kthimin e padisë civile të familjes Kodra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë “Albademil” për plotësimin e saj. Mbi bazën e vendimit me nr. akti 14514/3645 që u përket paditësve Sabri, Glodian, Fiqierete, Rajmonda dhe Adnan Kodra, që të gjithë banues në Kamëz, por në momentin e shpërthimit punonin pranë kësaj punishteje demontimi. Shpërthimi i kësaj fabrike, solli dëmtime të ndryshme ndaj pesë paditësve, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë-padi, duke kërkuar “shpërblimin e dëmit pasuror dhe jo pasuror në vlerën prej 17 milionë lekëve të reja”. Ndërkohë, sipas vendimit të gjykatës, kjo padi u duhet kthyer paditësve, pasi është konstatuar se ajo është e metë dhe e paplotë.
Bledar AbdullaiRreth tre vjet më parë, një raport i Ministrisë së Drejtësisë, zbuloi një skandal, sipas së cilit mjekoligjorët dhe gjyqtarët lironin të dënuarit me pretendimin se ishin të sëmurë. Në një nga rastet e publikuara nga ministria në atë kohë, anëtari i Kolegjit Penal të “Pangos”, Bledar Abdullai, rezultoi i përfshirë se kishte liruar një të burgosur. Gjyqtari u verifikua nga një grup specialistësh të ministrisë, ndërsa emri i tij nuk u dërgua për ndjekje penale. Sipas raportit të ministrisë, Abdullai u verifikua për një rast, ndërsa dosja që ndodhej në raport mbante numrin 7. Një i burgosur me inicialet A.A., ishte dënuar me vendimin nr.327 datë 11. 10. 2002 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale të “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Rrëmbim personi në rrethana lehtësuese” me 11 vjet heqje lirie. Me vendimin numër 1439 datë 13. 11. 2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lirimi i tij, pasi në bazë të aktit të ekspertimit numër 180 datë 08.11.2006 “… i dënuari vuan nga sëmundja çrregullim depresiv madhor kronik me tipare melankonike-me mendime dhe tentativa suicidale”. Këtij personi i mbetej për të vuajtur edhe 7 vjet nga dënimi. Gjyqtari i çështjes që ka dhënë vendimin për të liruar këtë person ka qenë Bledar Abdullai. Ndërkohë, jo më larg se disa muaj më parë, gjyqtari Bledar Abdullai ka hyrë në një konflikt për një çështje pronësie me një nga komunitetet fetare në Shqipëri. Gjyqtari rrëzoi pretendimin e komunitetit, ndërsa ky i fundit doli në një reagim publik. Sipas reagimit, “gjyqtari Abdullai gaboi rëndë, me dashje, duke vendosur masën për ekzekutim të përkohshëm mbi pasurinë e një komuniteti fetar, i cili e ka atë me certifikatë pronësie”. Po duke iu referuar reagimit, “Abdullai ligjëroi arbitraritetin dhe korrupsionin e gjykatës me vendime të tilla haptazi të kundërligjshme, duke i marrë forcërisht pronën pronarit të ligjshëm dhe ia jep në posedim një personi që nuk legjitimohet për shkak se nuk ka asnjë titull pronësie dhe asnjë tagër mbi këtë pasuri”.
Majlinda DoggaNë dosjen “Fazlliç” rezulton edhe emri i gjyqtares Majlinda Dogga, pasi ajo ka qenë gjyqtarja që ka dhënë vendimin për shitjen e firmës së Fazlliç për llogari të një firme qipriote. Sipas raporteve të mediave më datën 9 korrik 2007, zoti Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e firmës “CROWN ACQUISITIONS” (me vendim gjykate nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Dogga) për llogari të një firme të regjistruar në Nikosia të Qipros, e cila quhet “ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme një tjetër person.
#