E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret me sëpatë gruan, plagos të bijën dhe kunatin

18/03/2010 Autori i ngjarjes vuante nga sëmundjet mendore. Ngjarja pas një zënke banale

DEVOLL- Një ngjarje tragjike ka zënë fill mesditën e së mërkurës në fshatin Eçmenik të rrethit Devoll. Një grindje e momentit mes dy bashkëshortëve Demiraj, burri 65 vjeç dhe gruaja 60 vjeçe është shndërruar në një akt kriminal. Mësohet se gjatë kësaj grindjeje, Hekuran Demiraj, 65 vjeç, ka rrëmbyer sëpatën dhe ka qëlluar disa herë radhazi mbi bashkëshorten e vet, duke e lënë atë të vdekur në vend. Ndërkaq ka lënë të plagosur vajzën e tij, Sonilën dhe kunatin e vet, Myqerem Meçollin. Pas këtij akti, autori i ngjarjes ka dashur të largohet nga shtëpia për të mos rënë në duart e policisë, por nuk ka mundur të shkojë shumë larg, pasi është arrestuar nga uniformat blu. Dy të plagosurit, Sonila 25 vjeç dhe kunati i autorit janë çuar urgjentisht në spitalin e Korçës, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore mendohet të jenë jashtë rrezikut për jetën, por gjithsesi të shokuar nga ajo që kishte ndodhur. Motivet e grindjes nuk janë të qarta, por sipas të dhënave paraprake që ka grumbulluar policia rezulton, se Hekuran Demiraj kishte kohë që vuante nga sëmundjet mendore. Edhe një ditë më parë ai kishte qenë në spitalin e Korçës ku kishte marrë barna për qetësimin e sëmundjes.

Ngjarja

Sipas burimeve policore, ngjarja makabër ka zënë fill rreth orës 13.00. Pikërisht në këtë kohë, pas një zënke të rëndomtë me gruan e tij, ai ka qëlluar mbi gruan, madje pa e ditur se çfarë po bënte. I gjendur në depresion të thellë ai qëllonte mbi bashkëshorten pa u ndalur. Pikërisht në këtë kohë, kur janë dëgjuar thirrjet për ndihmë dhe ulërimat e Besijes, gruas së tij, ka hyrë në mes bija e tyre për të shpëtuar nënën e saj, por Hekuran Demiraj nuk ka dashur të kursejë as bijën e vet. Me të njëjtën mënyrë është sjellë edhe me kunatin e tij, Myqerem Meçolli. Por fatmirësisht, dy të fundit kanë mbetur të gjallë. Mësohet gjithashtu se më pas kanë ndërhyrë të afërmit e familjes Demiraj dhe banorë të fshatit Eçmenik, por gjithçka kishte përfunduar shumë shpejt. Gruaja gjendej e shtrirë për tokë e pajetë, ndërsa dy të tjerët të gjakosur dhe që kërkonin ndihmë. Ndërkaq, autori i aktit kriminal ishte larguar nga banesa, por që nuk do të mundte të shkonte shumë larg. Në lidhje me këtë çështje, burime të policisë bënë të ditur se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithsesi, tragjedia ndodhi për shkak të një personi që vuante nga sëmundjet mendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›