E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli merr mesazhe urimi për rizgjedhjen në krye të Kuvendit



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka marrë mesazhe të shumta urimi për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit nga kryetarë të parlamenteve europiane e botërore. Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, në letrën e tij dërguar kryetares së Kuvendit, shkruan: “Është kënaqësi e madhe për mua t’Ju përgëzoj juve, në emrin tim dhe në emër të të gjithë deputetëve të Parlamentit të Kroacisë me rastin e zgjedhjes tuaj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, duke Ju uruar shumë sukses në këtë detyrë të lartë e me përgjegjësi. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t’Ju shprehur kënaqësinë time për bashkëpunimin mes Parlamentit të Kroacisë dhe Parlamentit të Shqipërisë, që ka qenë një provë e një marrëdhënieje dypalëshe shumë të mirë e miqësore si dhe të lidhjeve mes popullit kroat dhe atij shqiptar. Rizgjedhja Juaj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë na jep mundësinë për të vijuar bashkëpunimin ndërparlamentar, pjesë thelbësore e të gjithë bashkëpunimit mes dy vendeve, në një frymë pozitive, veçanërisht në kuadër të anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Europian, ashtu si edhe në hapjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit mes Kroacisë dhe Shqipërisë”, - shkruan në letrën e tij kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke i uruar kryetares së Kuvendit suksese në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të këtij institucioni të lartë shtetëror, ndër të tjera, shkruan: “Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, shpreh bindjen që ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. Me këtë rast dëshiroj edhe njëherë t’Ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës”.
Ndërsa në letrën e tij të urimit drejtuar kryetares së Kuvendit, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, shkruan: “Jam veçanërisht i kënaqur që t’Ju përgëzoj, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe timin personal, për rizgjedhjen Tuaj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe t’Ju uroj punë të mbarë e të suksesshme. Shpresoj që gjatë katër viteve të ardhshme do të kemi mundësinë të vazhdojmë bashkëpunimin miqësor që tashmë kemi vendosur në të gjitha nivelet, i cili pa dyshim do të ketë një rëndësi shumë të madhe për thellimin dhe forcimin e të gjitha marrëdhënieve miqësore mes vendeve tona në rrugën e përbashkët europiane”.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›