Topalli nderohet nga Parlamenti britanik
Gjatë vizitës së saj në Londër dhe pjesëmarrjes në ceremoninë madhështore të fjalës së Mbretëreshës Elizabet në Parlamentin britanik, Kryetarja e Kuvendit, krahas takimeve me pjesën më të madhe të ministrave të kabinetit Braun, me deputetë të Parlamentit dhe të Dhomës së Lordëve, ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesit e grupit parlamentar të miqësisë Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri. Kryetarja Topalli ka marrë vlerësime për progresin e bërë nga Shqipëria dhe garancinë se së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s. Pas këtij takimi, kryetarja Topalli ka zënë vendin e të ftuarës së nderit të kryetarit të Dhomës se Komuneve, Michael Martin. Ai e ka ftuar Topallin të merrte pjesë në mbledhjen konfidenciale të forumit më të lartë të vendimmarrjes së Dhomës së Komuneve, ku përveç kreut të Parlamentit, Martin, marrin pjesë vetëm tre nënkryetarët e Parlamentit për të vendosur me dyer të mbyllura axhendën e tyre të punës. Më pas Topalli ka referuar në London School mbi historinë, përpjekjet për demokraci dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO e BE.