E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi uron ushtrinë: Hyrja në NATO, vlerësim për ju

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka uruar dje Forcat e Armatosura me rastin e 96-vjetorit. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit ka theksuar se "Shqipëria është sivjet më e favorshme se kurrë ndonjëherë, me rastin e marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO. "Ajo që na bën të gëzojmë dhe njëkohësisht të reflektojmë, është se aktualisht vendi ynë ndodhet në periudhën më vendimtare të procesit të integrimit në NATO. Me gjithë sukseset e arritura dhe të pakthyeshme të procesit, faza në të cilën ndodhemi kërkon nga të gjithë përfshirje dhe përgjegjshmëri më të lartë, organizim dhe koordinim më të arrirë, tempe më të shpejta në vazhdimin e reformave që kemi ndërmarrë", është shprehur komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i cili në këtë ditë të veçantë u ka dërguar një urim dhe një falënderim të gjithë atyre ushtarakëve që shërbejnë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit, si në Irak, Afganistan, Çad, Bosnjë-Hercegovinë etj., si dhe pjesës tjetër të ushtarakëve që shërbejnë si atashe në shumë shtete të botës. Kreu i shtetit, para Forcave të Armatosura, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë, për arritjen e objektivit madhor të zhvillimit të një ushtrie tërësisht profesionale, të një ushtrie që kompenson sasinë dhe numrat e saj me cilësitë dhe vlerat e performancës së misioneve të reja në mjedisin strategjik rajonal dhe global të këtij shekulli të ri. Më pas Topi u ka drejtuar një apel të gjithë të rinjve e të rejave shqiptare që t‘i shikojnë Forcat e Armatosura si një profesion të nderuar për të ardhmen e tyre. I inkurajoj, ka theksuar Presidenti, të gjithë ata të rinj që janë të pasionuar ndaj tempit ushtarak, në stërvitje e mision, ndaj shpirtit të kolektivitetit, miqësisë dhe cilësive të tjera të admirueshme ushtarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›