E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Egjipt, kërkon njohjen e Kosovës

KAJRO- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka zhvilluar një takim zyrtar me kryetarin i Asamblesë Popullore të Egjiptit, Fathy Souror, nga i cili ka kërkuar që ky shtet të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Egjiptit, i pranishëm në takim, siguroi Topallin se ky komision do t’i rekomandojë Qeverisë së Egjiptit njohjen e shtetit të Kosovës.
Dy kryeparlamentarët vlerësuan se bashkëpunimi mes parlamenteve të të dy vendeve, me lidhje historike dhe miqësore, është shumë i rëndësishëm, por ai duhet forcuar në aspektin ekonomik, në shkëmbimet tregtare dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Dy homologët u ndalën edhe në çështjen e Kosovës. Topalli, duke vlerësuar ndihmën e dhënë nga Egjipti gjatë luftës në Kosovë, tha se ne e konsiderojmë Egjiptin si një vend lider të botës arabe, që me influencën e tij do të ndikonte mjaft në njohjen e shtetit të Kosovës. “Ky realitet i ri ka ndikuar në stabilitetin e rajonit tonë, duke çuar përpara fqinjësinë e mirë, pas njohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë” theksoi Topalli.

Në nderim të vizitës së Topallit, kryetari i Parlamentit egjiptian kishte përgatitur posaçërisht për të një medalje të artë, ku ishte gdhendur emri i saj.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›