E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Gjermani, takon homologun Lamert

BERLIN - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur sot nga kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert. Gjatë këtij takimi, dy homologët vlerësuan bashkëpunimin mes tyre si dhe kërkuan thellimin e këtij bashkëpunimi.

Nga ana e tij, zoti Lamert përgëzoi Shqipërinë për progresin në synimin dhe perspektivën e saj europiane. “Kjo vizitë tregon interesin tonë. Është e qartë se gjatë 5 - 6 viteve të fundit ne kemi zhvilluar kontekstin e marrëdhënieve midis parlamenteve tona në një nivel të tillë sikur Shqipëria të ishte tashmë në Bashkimin Evropian. Ekziston një ndryshim i rëndësishëm në llojin e bashkëpunimit që ne kemi midis komisioneve, grupeve të miqësisë apo parlamenteve reciproke dhe kjo e bën të qartë se ekziston një perspektive dhe ne po punojmë për ta përmbushur këtë qëllim.”- tha ai.

Kryeparlamentarja Topalli tha se në këto 20 vjet demokraci Gjermania është kontribuesi kryesor në terma financiare por edhe në zhvillimet demokratike të Shqipërisë.
“Sot ne kemi marrëdhënie të intensifikuara, marrëdhënie politike të mira. Në 100 -vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ne kremtojmë dhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.”-deklaroi kryeparlamentarja.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›