Itali, ACLI informon shqiptarët për pensionin

Zyrë e Patronato ACLI
Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Patronato ACLI, kanë nisur bashkëpunimin lidhur me punëtorët shqiptarë që jetojnë në Itali, të cilët përfitojnë nga skema e pensioneve.
Patronato ACLI, disa muaj më parë ka hapur sportele në disa qytete të Italisë me të punësuarit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Në këto zyra, shqiptarët mund të informohen lidhur me periudhat që kanë patur të siguruara në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që të jenë në dijeni të kushteve që u nevojiten për përfitim në momentin që u lind e drejta.
ACLI është një prej patronateve që në Itali ka 20 zyra rajonale, 105 zyra provinciale dhe 456 zyra lokale. E veçanta e këtij patronati është se ka 72 zyra në të gjithë botën, dy prej të cilave në Shqipëri- një në Tiranë dhe një në Shkodër. /F.S/