E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli ngre komision për organizimin e festës së PD-së

PD-ja fillon përgatitjet për ceremoninë festive të 18-vjetorit të krijimit. Noka: “Këtë vit do të organizojmë një festë ndryshe nga vitet e tjera”

Eljona Ballhysa
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, do të kryesojë komisionin e posaçëm që është ngritur nga Kryesia për organizimin e festës me rastin e 18-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike. Ceremonia festive do të zhvillohet mbrëmjen e 12 dhjetorit. Por, ndryshe nga vitet e tjera, mësohet se kjo ceremoni do të jetë krejt e veçantë, ndërkohë që po hartohet dhe lista e të ftuarve. Këtë vit, në përfundim të mandatit të parë qeverisës, selia blu ka nisur punën për të organizuar një ceremoni krejt të veçantë si dhe për të risjellë në vëmendje edhe arritjet e kësaj force politike gjatë katër viteve në pushtet.
Komisioni
Komisioni mësohet se do të fillojë nga puna ditën e hënë. Do të përcaktojë listën e të ftuarve dhe vendin ku do të zhvillohet ceremonia. Ky komision, që këtë radhë drejtohet nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, do të merret edhe me detaje të veçanta, zbukurimin e ambientit, tortën e famshme me siglën e partisë apo edhe me momente të tjera që mbeten ende surprizë. Sekretari Organizativ i PD-së, Flamur Noka, ka bërë të ditur për gazetën se në datën 12 dhjetor, ashtu sikurse çdo vit, demokratët, anëtarët, deputetët, ministrat, themelues të kësaj partie, do të festojnë ditëlindjen e 18-të të partisë së parë demokratike në Shqipëri. “Është ngritur një komision i posaçëm për organizimin e festës së themelimit të PD-së. Ky komision drejtohet nga nënkryetarja e partisë, zonja Topalli. Komisioni do të nisë punën ditën e hënë dhe do të përcaktojë të gjitha detajet e nevojshme për organizimin e ceremonisë festive. Mund të them se këtë herë festa do të jetë e konceptuar krejt ndryshe nga vitet e tjera. Do të përpiqemi të sjellim një atmosferë festive dhe përkujtimore”, - është shprehur Noka.
Festimi
Ndryshe pritet të festohet ditëlindja e PD-së këtë vit për shkak se është një vit elektoral. Vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndaj mendohet që në ditën e themelimit të partisë, kryetari i PD-së Berisha të gjejë rastin të lëshojë dhe mesazhe politike ose të startojë fushatën zgjedhore. Nuk pritet krijimi i një Komiteti të ri për Orientimin e Politikave, por me siguri demokratët kanë menduar një surprizë të goditur për të bërë publike këtë ditë të shënuar për ta.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›