E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela: “Do të mbijetojmë”



Të shtunën e kaluar Ervin Skela dhuroi shou në “Alianz Arena”, me atë gol të kalibruar nga goditja e lirë lundër gjigantëve të Bundesligës gjermane, Bajernit të Munihut. Shkëmbimi i bluzave me francezi Frenk Riberi, një prej lojtarëve më të mirë në botë për momentin, e “transferoi” shqiptarin në faqet e gazetës popullore “Bild”, ku rrëfeu të gjitha detajet e batutave me fantazistin e rekordmenëve gjermanë. Me 20 gola në Bundesligë, njëri më i bukur se tjetri dhe për më tepër lider i një skuadre nga ish-Gjermania Lindore, Skela ishte në fokusin e revistës prestigjioze “Spiegel”, në versionin online të saj. “Ervin Skela është koka e Energi Kotbusit”, - shkruan “Spiegel”, teksa ka marrë nga shqiptari 32-vjeçar të gjitha të fshehtat e përgatitjes në “duelin për jetë a vdekje” kundër Mënshengladbahut, objektivave të tij individuale, arsyet se përse Energi ndodhet në fundin e tabelës.

SPIEGEL ONLINE: Zoti Skela, Energi Kotbus që nga java e nëntë është më vendin e fundit. A është në të vërtetë ky vendi që meritoni?
SKELA: Natyrisht, mundësinë tona financiare nuk janë të krahasueshme me ekipet e tjera të Bundesligës. Vendi e tregon edhe këtë. Në raport me vitin e kaluar, përpara kishim skuadra me mundësi më të mëdha, megjithatë ia arritëm të qëndronim në Ligë.
Edhe Borusia Mënshengladbah ka mundësi më të mira. Të shtunën do të luanin në “Borusia-Park”. Çfarë prisni ju prej ndeshjes?
Ne kemi luajtur fillimisht në Kupë kundër Gladbahu dhe në shtëpi fituam 3-0. (Skela shënoi dy gola me penallti në atë takim). Por tani është një ndeshje krejt tjetër. Shumë gjëra qysh atëherë kanë ndryshuar. Kanë një trajner të ri, Hans Mejerin, një njeri me shumë përvojë, i cili i njeh shumë mirë edhe situatat në luftën për mbijetesë. Gladbah është për ne Liga, me të cilin do të luftojmë deri në fund të sezonit për të mos rënë nga kategoria.
A është kjo ndeshje e rëndësishme në luftën për mosrënien nga Bundesliga?
Po, kjo është një ndeshje që do të përcaktojë edhe drejtimin tonë. Ashtu si ajo kundër Karlsruhes (së Kapllanit). Dhe ne kundër tyre fituam 1-0. Vitin e kaluar ndeshjet e fundit ishin shumë përcaktuese për ne. Nga ajo kundër Duisburgut, Nurembergut apo Hansa Rostokut.
Por historia nuk mund të përsëritet gjithmonë.
Nëse ne të shtunën fitojmë, do të ishte një hap i madh. Për këtë ne duhet të kemi më shumë besim te vetja në ndeshjet e fundit, përpara se të shkojmë në pauzën dimërore. Kjo do të shërbente edhe për ndeshjet e kthimit si një motivim. Ne dëshirojmë të shkurtojmë distancën, dhe më pas, në ndeshjet e kthimit, t’i japim më shumë gaz dhe ashtu si vitin e kaluar, të fillojmë me një seri pozitive.
Pse ka ndodhur kjo deri tani?
Shumë humbje i kemi pasur me rezultat të ngushtë. Vitin e kaluar, në ndeshjet e fazës së parë, kjo nuk ndodhte. Me ndërrimin e trajnerit erdhën edhe rezultatet pozitive, e shumë nga ndeshjet folën për ne. Ne ishim atëherë jo pak, por 11 pikë pas Rostokut. Por në fund ishte Rostoku që u rrëzua, jo ne.
Kjo tingëllon sikur ju keni nevojë sërish për ndërrimin e trajnerit...
Jo, jo. Në asnjë mënyrë. Ne nuk kemi nevojë aspak për një gjë të tillë. Trajneri ynë, Bojan Prasnikar, erdhi me ide të reja. Ashtu si gjatë vitit të kaluar, edhe këtë vit ne i kemi mbështetur. Ne punojmë shumë, ai ka linja të qarta, dhe kështu suksesi do të vijë patjetër.
A do ta arrini atë?
Duhet që te ne në Kotbus kjo të ndodhë natyrshëm. Duhet të kemi si ekip një ditë të mirë, duhet të japim gjithçka dhe kemi nevojë gjithashtu edhe për një situatë me fat, ku mund të vendoset edhe fati i ndeshjes.
Ju patët fundjavën e kaluar kundër Bajernit një situatë kaq të lumtur dhe arritët të shënonit golin e rezultatit 1:0. Megjithatë, ju mezi festuat. Përse?
Në momentin e parë unë isha shumë i përqendruar që topin ta godisja mirë dhe në qendër, duke menduar që një nga lojtarët tanë ta godiste me kokë. Unë kisha një mundësi shumë të keqe shikimi, pasi kishte shumë lëvizje në zonë. Nuk e pashë fare që topi kishte hyrë në rrjetë.
Por, pas kësaj, shokët e ekipit tënd festuan.
Në momentin kur shokët e mi të ekipit erdhën te mua, së pari hodha një vështrim të shkurtër drejt gjyqtarit, nëse goli ishte i rregullt apo jo. Pastaj unë nuk e dija nëse ishte apo jo një goditje e lirë indirekte. Fillimisht duhet të ishte për mua e qartë nëse ishte gol, apo jo. Dhe pastaj, nëse do të vrapoja e do të anulohej goli, do të ishte shumë komike.
Në fund humbët 4-1 në “Allianz Arena” me Bajernin. Por edhe në shtëpi për ju është e vështirë. Deri tani nuk kanë qenë më shumë se 15 mijë shikues në ndeshjet tuaja. “Stadiumi i Miqësisë” nuk ka qenë kurrë kaq keq i shitur. A nuk keni nevojë për më shumë mbështetje?
Çfarë do të thotë “vetëm”? Kotbusi me 100 mijë banorë, pas Hofenhajmit, është qyteti më i vogël nga ekipet e Bundesligës. Në raport me banorët këtu vijnë më shumë njerëz në stadium, si për shembull me një qytet shumëmilionësh si Berlini. Dhe ata njerëz, që vijnë në stadium, janë tifozë të vërtetë. Për këtë duhet të vijnë, e së bashku do të rigjejmë dhe suksesin.
Kontrata juaj përfundon në fund të sezonit. A keni bërë tashmë bisedime për një ripërtëritje të saj?
Jo, deri tani jo. Unë jam i përqendruar në detyrat e mia këtu. Gjithçka tjetër e lë të vijë natyrshëm. Unë e di se çfarë unë duhet të bëj. Njerëzit këtu gjithashtu e dinë, dhe kur të vijë momenti ne do të ulemi së bashku.
A do ta zgjasnit ju kontratën, nëse Kotbusi bie nga kategoria?
Këtë nuk e mendoj aspak, pasi ne nuk do të zbresim. Por, natyrisht që çdo futbollist përpiqet të luajë sa më gjatë që të jetë e mundur në Bundesligë. Dhe unë e dua këtë. Ndryshe do të gënjeja.
Përgatiti: Dash Frashëri

Skela

Ervin Skela lindi më 17 nëntor 1976 në qytetin e Vlorës. Nga viti 1995 është lojtar i Kombëtares shqiptare, ndërsa në Gjermani ka luajtur për Frankfurtin, Bielefeldin, Kaisersaluternin. Në vitin 2006 ai luajti për pak kohë në Itali me Askolin. Për Energi Kotbusin Skela luan që nga janari i vitit 2007. Kontrata e tij përfundon në fund të këtij sezoni. Në Bundesligën 1 ka shënuar 20 gola, ndërsa në Bundesligën 2, 32 gola. Skela është rekordmeni shqiptar përsa u përket lojtarëve që kanë luajtur në Gjermani.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›