Duro: “Mbrojtja e fëmijëve, prioritet i qeverisë”
Ministri i Punës e Çështjeve Sociale, Anastas Duro, zhvilloi dje një takim me përfaqësuesen e UNICEF-it në Shqipëri, Kerri Auer, me të cilën diskutoi rreth bashkëpunimit të deritanishëm dhe ngritjes së nivelit të tij bazuar në plane pune të përbashkëta e të detajuara me detyra konkrete, për realizmin e objektivit të përbashkët, garantimin e të drejtave të fëmijëve në vend. Auer u shpreh se në këto vite, bashkëpunimi i UNICEF-it me Ministrinë e Punës ka qenë shumë i mirë dhe falë këtij bashkëpunimi janë arritur të përmbushen shumë objektiva. Ndër objektivat më kryesore të UNICEF-it dhe të strukturave qeveritare në vitet e fundit, Auer përmendi krijimin e njësive për mbrojtjen e fëmijëve në njësitë vendore, asistimin teknik të Sekretariatit të Fëmijëve, strukturë pranë Ministrisë së Punës, si edhe strukturave politikëbërëse në fushën e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht në procesin e hartimit të dokumenteve të rëndësishëm që sanksionojnë dhe garantojnë këto të drejta. “Ne vlerësojmë se në të gjitha këto objektiva Shqipëria ka arritur sukses, por, sigurisht, që ka ende shumë për të bërë”, - u shpreh përfaqësuesja e UNICEF-it. Ministri Duro falënderoi zonjën Auer për kontributin e dhënë në këta pesë vjet në krye të UNICEF-it në Shqipëri dhe për ndihmën që kjo e fundit i ka ofruar dhe i ofron institucioneve për realizimin e detyrimeve të tyre në fushën e të drejtave të fëmijëve. Ministri i Punës vuri në dukje se tashmë shteti shqiptar ka ratifikuar dhe bërë pjesë të legjislacionit vendas dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe po punon për krijimin e një baze ligjore dhe institucionale të plotë për garantimin e këtyre të drejtave.
30 Nentor 2008