Topalli, një prokurore e panevojshme për Gërdecin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kohë që është përfshirë në një debat absurd, nga i cili shpreson të faktorizohet si palë që mund të orientojë hetimet rreth tragjedisë së Gërdecit. Në muajin që shkoi ajo u përfshi në një debat të panevojshëm me Prokuroren e Përgjithshme për mjaftueshmërinë dhe pamjaftueshmërinë e dokumenteve për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Aq me pasion e mori këtë punë, sa më zuri frika se ndonjë ditë do të shikoja ndonjë billboarder para mureve të Kuvendit, ku të lexoja dokumentet që duheshin dhe dokumentet që s’duheshin për t’u hetuar zoti Mediu. Më pas, thuajse s’kishte ndodhur asgjë, lajmëroi me urgjencë, pasi ambasadori amerikan reagoi publikisht, se imuniteti do t’i hiqet të hënën dhe se në këtë vendim nuk kanë fare ndikim dokumentet shtesë që ajo kishte muaj që i kërkonte. Ky veprim absurd lë pa përgjigje shumë shqetësime të sinqerta të zonjës Topalli, por mbi të gjitha shqetësimin e saj për dokumentet e Gërdecit. Sikur të mos mjaftonte gjithë ajo tymnajë pa zjarr rreth shtyrjes së heqjes së imunitetit dhe pastaj heqjes urgjente, ka dy ditë që ka nisur një betejë tjetër, po kaq pa lidhje, rreth institucioneve që janë informuar për atë çfarë bëhej në Gërdec. Të gjithë jemi dëshmitarë se një kolegu ynë gazetar, Andi Bushati, dy muaj më parë publikoi dokumente dhe postën sekrete se kujt i shkonte informacioni rutinë mbi Gërdecin. Kryeministri e mallkoi dhe i përmendi deri dhe histori rozë personale për ta fyer për ato që tha, edhe pse zoti Bano dhe zonja Topalli po ia citojnë përditë. Ashtu siç referoi të hënën në Kuvend dhe zoti Bano, ai i shkonte presidentit, qeverisë dhe Shtabit të Përgjithshëm. Zonja Topalli e rithekson këtë fakt, por ngul këmbë se kryeministrit nuk i shkonte, por i shkonte vartësve të tij, d.m.th., ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendësministrave. Kjo e bën shumë qesharak problemin. E bën qesharak, pasi ai informacion për nga cilësia nuk thotë ndonjë gjë të madhe, veç faktit se makina me municion po lëvizin drejt Vorës në vendin e quajtur Gërdec, duke çuar municione. Zyrtarë që nuk ishin në dijeni të këtij projekti dhe mund t’i hedhin ato në koshin e plehrave. Por, vetëm një zyrtar i shtetit shqiptar e dinte se ç’po bëhej në Gërdec. Ai kishte përgatitur kuadrin ligjor, kishte anuluar me vetëdije një VKM, që prokuronte direkt kompaninë e Delijorgjit të bënte demontim, pastaj kishte përshtatur legjislacionin që kjo kompani ta fitonte këtë projekt dhe më pas t’i krijoheshin këto lehtësi. Ai është kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Ky zyrtar nuk ka patur nevojë të numërojë kamionët, se ia numëronin njerëz të tjerë. Ky ka bërë kuadrin ligjor, ka pranuar lobimin e njerëzve të afërt të tij në familje dhe i ka dhënë shans real masakrës që ndodhi. Të gjithë të tjerët, përfshi dhe zonjën Topalli, dhe sikur t’ua vije përditë në tavolinë numrin e kamionëve dhe targat e tyre që shkarkoheshin në Gërdec, do t’i hidhnin poshtë. Vetëm ai dhe zoti Mediu e dinin ç’ishin ata kamionë, pse shkarkoheshin atje dhe kujt i duheshin. Në këtë aspekt, beteja donkishoteske e zonjës Topalli për të theksuar se zoti Berisha nuk dinte gjë për Gërdecin, e bën kryeministrin qesharak, edhe pse ky nuk është qëllimi i saj. Nëse kryeministri, i cili ka përgatitur dhe miratuar me dorë të tij kuadrin ligjor për Gërdecin, nuk ka kuptuar se përse po e bënte gjithë atë reformë administrative, atëherë duhet shkarkuar si kryeministër, si njeri që nuk kupton se ç’bën. Në të vërtetë, kjo akuzë nuk qëndron, se ai e dinte se ç’po bënte, por zonja Topalli duket se nuk di se ç’po thotë.
Historia e Gërdecit është tani një histori në duar të prokurorisë. Ne të gjithë duhet t’i lëmë kohën e duhur asaj që kryeministri e ka pagëzuar si “Silvia Konti” e drejtësisë shqiptare për të hetuar. Ndoshta as ajo nuk i shkon deri në fund. Ndoshta dhe ajo heziton të drejtojë gishtin nga ata që e projektuan për qëllime fitimi këtë histori tragjike dhe shkaktuan masakrën. Atëherë, ne jemi këtu dhe mund të flasim. Për respekt mund t’ia lëmë radhën të parës zonjës Topalli të flasë dhe të tregojë çfarë di ajo që nuk dimë ne dhe çfarë di ajo që nuk e zbuloi prokuroria. Mund të shkojë dhe të deponojë vullnetarisht. Por është e lutur të mos na thotë çfarë nuk dinte zoti Berisha. Ai e di vetë çfarë nuk do të dijë.