Italia fiton me Francën edhe ne TV
Më shumë se 23 milionë teleshikues ndoqën ndeshjen Francë-Itali (0-2) të transmetuar nga Rai Uno, duke fituar ndaj Francës edhe “ndeshjen” e televizioneve. Televizioni kombëtar italian u ndoq nga 74.09 për qind e teleshikuesve në Itali, ndërkohë që në Itali, ndeshja Holandë-Rumani e transmetuar nga Rai2 u ndoq nga 687 mijë teleshikues. Italia, që në çerekfinale do të ndeshet me Spanjën, ka bërë një ditë pushim. Donadoni duhet të zgjidhë rebusin e mesfushës, pasi do të mungojnë për shkak të skualifikimit Pirlo e Gatuzo. Ndeshja Francë-Itali e transmetuar direkt nga televizioni francez M6 regjistroi një audiencë prej 13.2 milionë teleshikuesish, një rekord absolut për televizionin francez (që nga viti 1989) dhe rekordi i audiencës në gjitha televizionet që nga fillimi i vitit 2008. Rekordi i mëparshëm ishte ai arritur në ndeshjen Francë-Holandë e transmetuar nga TF1 dhe e ndjekur nga 12.6 milionë shikues. Në Holandë ndeshja Holandë-Rumani u ndoq nga 7.3 milionë shikues, teksa popullsia holandeze arrin në 16 milionë. Gjithsesi, shifrat nuk përfshijnë shikuesit që i kanë ndjekur ndeshjet në sheshe të hapura apo në kafe apo restorantet që kanë instaluar ekrane të mëdha.
SHTYPI FRANCEZ - Eliminimi i Francës nga Italia në Euro 2008 shkaktoi një reagim të ashpër të medias franceze. “Fundi”, ishte titulli i madh i gazetës “Le Parisien”. “Dështimi në format të madh i Bluve”, shkruante në mënyrë cinike “Le Figaro”. Gazeta “20 minute” ishte edhe me sarkastike: “Euro Fiasko
SHTYPI ITALIAN - “Shumë bukur” (Gazzetta dello Sport), “Rroftë Italia”, “Natë e madhe azurrëve në Zurih” ( Corriere dello Sport), “Një përrallë zanash”, “Fati për Italinë”. “Corriere dello Sport” i thurte lavdi Domenekut, i cili pati idenë gjeniale të mos thërriste Trezegenë, golashënuesin e Juventusit.
Turqit, 150 mijë euro për kokë
Thasët e parave nuk kanë të numëruar në Euro 2008. Pas kualifikimit të jashtëzakonshëm në çerekfinale, Federata Turke e Futbollit synon arritjen në gjysmëfinale. 150 mijë euro për kokë do të përfitojnë lojtarët turq nëse do t’ia dalin të eliminojnë Kroacinë në çerekfinale, takim që do të luhet të premten në Vjenë (ora 20:45). Grusht i rëndë për Turqinë. Portieri titullar i ekipet, Volkan Demirel, u pezullua për dy ndeshjet e radhës nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-s. Gjatë takimit Turqi-Çeki (3-2), portieri i Fenerbahçes rrëzoi me dhunë sulmuesin çek Jan Koler përpara se të ndëshkohej me karton të kuq. Ai do të zëvendësohet nga Rushtu për ndeshjen çerekfinale kundër Kroacisë, dhe nëse Turqia do të kualifikohet do të mungojë edhe në gjysmëfinale.
Domenek: “Më falni, bëra gabim”
Trajneri i Francës, Rajmond Domenek, pranoi se kishte bërë një gabim duke i propozuar të dashurës së tij direkt në televizionet franceze pasi ekipi i tij u eliminua nga Italia në Kampionatin Europian. “Ma harroni këtë moment. Ishte një gabim në komunikim”, - tha Domenek. “Unë ndjeva një moment humanizmi, kur duhej të tregohesha i ftohtë dhe profesional. Gjithsesi, unë ndjeva nevojën që t’u tregoja njerëzve se e dashuroja atë”.
Domenek u pyet nga media franceze se nëse ai ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen si trajner. Në vend të përgjigjej, ai tha se kishte qëllim të martohej me të dashurën e tij, prezantuesen televizive, Estel Denis.
Gafa, himni nazist në televizion
Jo çdo gjë shkon në prapaskenat e Euro 2008. Televizioni zviceran SRG kishte titruar himnin kombëtar gjerman me fjalët në versionin nazist para ndeshjes Austri-Gjermani (0-1). “Është një gabim i pafalshëm”, -pranoi një funksionar i shërbimit të titrave, i cili pohoi se ky ishte një gabim i dy redaktoreve të reja.
Fjalët në versionin nazist dhe në himnin gjerman aktual kanë dalë nga e njëjta këngë “Das Deutschlandlied”, por nëse nga himni i kompozuar në vitin 1922, versioni nazist ka marrë vetëm strofën e parë, himni aktual gjerman ka vetëm strofën e tretë.
Në ekranet televizive shikuesit kanë parë frazën “Gjermania mbi të gjithë”.
Tifozët, futboll dhe birrë
Europiani nuk ka vetëm futboll, por edhe anën tjetër, atë të tifozëve. Sipas mediave austriake vetëm në zonën e fansave të Vjenës janë konsumuar 385 mijë litra birrë. Ndërkohë që për t’u ardhur në ndihmë pijetarëve janë vendosur 561 banja portative.
Vetëm për ndeshjen Austri-Gjermani ishin të pranishëm 200 mijë tifozë në zonën e fansave të cilët konsumuan 52 mijë litra birrë.
Edhe plehrat kanë arritur një shifër rekord për qytetin: 200 tonë.
Pilotët e F1 kërcënojnë me grevë
Gara e 6 korrikut në Silvestoun të Anglisë është në rrezik. Pilotët e Formula 1 kërcënojnë me grevë. Superlicencat e pilotëve kushtojnë shumë, dhe, sipas asaj që raporton revista gjermane “Auto, Motor e Sport”, cirkuiti anglez duhet të bëjë llogaritë, pasi dhe gara mund të dështojë.
Sipas revistës gjermane kostoja minimale që duhet të paguajë një pilot për të marrë super-licenn për sezonin 2008 është ngritur nga 1500 në 10 mijë euro. Kaq kanë paguar Kazuki Nakajima, Nelson Piquet Jr., Sebastien Bourdais, Timo Glock, Rubens Barikelo e Antoni Davidson.
Çdo pilot paguan 2000 euro për çdo pikë të fituar në sezonin 2007. Kampioni i botës në fuqi, Kimi Raikonen, ka paguar 230 mijë euro për të marrë licencën, Fernando Alonso e Luis Hamilton nga 230 mijë dhe Felipe Masa, 198 mijë euro. Polaku Robert Kubika, lideri aktual i Formula 1 ka paguar 88 mijë euro.
FIA, Federata Ndërkombëtare e Automobilave ka pohuar se paratë do të shpenzohen për programet që lidhen me sigurinë, por kjo nuk i ka bindur pilotët.
19 Qershor 2008