E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët nuk duhet të shkojnë më në konsullatën serbe

Disa zyra të huajsh në Gjermani vazhdojnë t’iu kërkojnë kosovarëve të shkojnë në konsullatën e Serbisë për të marrë dokumentet e identitetit, por kjo është e paligjshme konstaton Gjykata e Gëtingenit. Gjykata administrative e Gëtingenit mendon se nuk mund të kërkohet nga shtetasit e Kosovës që të kërkojnë pasaportë pranë konsullatës serbe, tha për “Deutsche Welle”-n presidenti i kësaj Gjykate, Thomas Smollich. “Kosova është e pavarur dhe Gjermania e ka njohur atë. Kështu që Serbia për Kosovarët është një shtet i huaj dhe nuk mund të dërgosh dikë në një shtet tjetër për të marrë një pasaportë”, - thotë Smollich.

Letërnjoftim i përkohshëm

Një pasaportë nevojitet zakonisht për të marrë lejen e qëndrimit. Zyra e të huajve në Gëtingen i kishte kërkuar një shtetasi të Kosovës që ta merrte pasaportën në një konsullatë serbe, meqenëse Kosova nuk ka përfaqësinë e vet konsullore në Gjermani. Në rast të kundërt ai nuk do të kishte të drejtën e lejes së qëndrimit. Çështja shkoi deri në gjykatë, e cila i dha të drejtë shtetasit të Kosovës. Me këtë vendim Gjykata e Gëtingenit veçse ka konfirmuar sërish dekretet përkatëse që më parë kishin nxjerrë ministritë e landeve gjermane, ku gjithashtu thuhej se, për sa kohë që Kosova nuk ka përfaqësinë e saj konsullore në Gjermani, shtetasit e Kosovës duhet të pajisen me një letërnjoftim të përkohshëm. Ky është një dokument gjerman që iu mundëson kosovarëve të marrin lejen e qëndrimit, thotë Smollich.

56 azilkërkues nga Kosova në maj

Enti Federal për Imigrantët dhe Refugjatët (BAMF) bën të ditur se afro 56 shtetas kosovarë kanë kërkuar azil politik në Gjermani në muajin maj. Është hera e parë që Kosova figuron më vete në statistikat zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

Në Gjermani supozohet se jetojnë afro 60 mijë kosovarë që presin të rregullojnë lejen e qëndrimit, gjysma e tyre janë pjesëtarë të pakicave. Por, numri i përgjithshëm i shtetasve nga Kosova që do të kenë nevojë për shërbime konsullore në Gjermani mendohet të jetë afro 200 mijë. 70 për qind e tyre kanë qenë deri tani me dokumente jugosllave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›