E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëv: “Shanset janë 50 me 50”



Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, tha se asnjë ekip nuk është favorit në përplasjen e madhe Portugali-Gjermani, takim që do të luhet të sot në Bazel të Zvicrës (ora 20:45). “Për herë të parë ne nuk shkojmë si ekip favorit në një ndeshje. Shanset janë 50 me 50”, - tha shefi i ekipi të Gjermanisë, Johakim Lëv. Gjermania bindi në ndeshjen e parë kundër Polonisë (2-0), por zhgënjeu kundër Kroacisë (1-2) e Austrisë (1-0). Megjithatë, Lëv e llogarit ekipin e tij në gjysmëfinale. “Portugezët do të bëjnë një lojë sulmuese, kështu që ne mund të organizojmë më mirë lojën tonë”, - tha Lëv, duke theksuar se pret dy ekipe ofensive. “Portugezët janë paksa të krahasueshëm me Holandezët, në fuqinë dribluese dhe shpejtësinë e sulmuesve anësorë”, - tha “Bundestrainer”-i gjerman, i cili ka planifikuar një mbulim të rreptë të fantazistit portugez Deko. Loja e Gjermanisë bazohet e tëra te mesfushori 31-vjeçar Mikael Balak, kurse ajo e Portugalisë te Kristiano Ronaldo, dy lojtarë që luajnë në Angli. Në përballjen e tyre të fundit, në finalen e Ligës së Kampioneve, Balak dhe Çelsi i tij humbi përballë Ronaldos e Mançester Junaitid. Për kapitenin e Gjermanisë, eliminimi i Portugalisë ka dhe një nuancë hakmarrje. Balak, nga ana tjetër do të luajë kundër Luis Felipe Skolarit. Trajneri brazilian i Portugalisë do të jetë trajneri i tij i ri te Çelsi. “Portugalia është një ekip shumë teknik, shumë e fuqishme dhe ka individualitete të mira. Ata luajnë shumë përpara dhe duan të shënojnë sa më shumë gola”, - tha Balak. Trajneri Skolari vlerëson Gjermaninë: “Nga pikëpamja taktike unë nuk kam parë një ekip më të mirë se Gjermania. Më pëlqen mënyra e tyre e të luajturit futboll”. Në takimin e tyre të fundit në një kompeticion të madh, Gjermania fitoi 3-1 në finalen e vogël të Kampionatit Botëror 2006.

Simao: “Gjermania nuk është vetëm Balak”

Për portugezët Nuno Gomesh e Simao ndeshja çerekfinale kundër Gjermanisë është më e rëndësishme e karrierës dhe jetës së tyre.
“Është si një finale, - pranon Gomesh, - pasi do të përballemi me një ekip të madh. Qëllimi ynë është t’u imponojmë lojën tonë, të luajmë njëlloj si në ndeshjet e para. Ta na kanë mundur në vitin 2006 (3-1, në ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës). Janë ata favoritët”. Simao pranon: “Ata (gjermanët) kanë avantazhin s kanë luajtur për një kohë të gjatë së bashku. Ata njohin kualitet tona dhe ne të tyret. Do të jetë ndeshja e jetës sonë”.
Për portugezët Balak nuk është një fiksim. “Do të luajmë kundër 11 lojtarëve, jo kundër njërit. Gjermania nuk është Balaku”.

“Bild”: “Fiton Balaku ynë, jo Ronaldo

“Balaku ynë ka vështrim fituesi”. Ky është titulli gazetës popullore në Gjermani, Bild. “Balak dëshiron revansh”, nxit tabloidi ndjenjat e tifozerisë. Gjermania kundër Portugalisë shihet parasë gjithash si Mikael Balak kundër Kristiano Ronaldos. “Dy herë janë ndeshur këta dy superyje gjatë këtij sezoni për titull, dhe në të dyja rastet fitoi Ronaldo i Mançesterit kundër Balakut të Çelsit. Fillimisht në kampionatin anglez, dhe pastaj në Ligën e Kampioneve”, - shkruan “Bild”. “Por titullin e tretë, dëshirojmë ta fitojë Balaku ynë. Golin e tij nga 24 metra e panë rreth 31 milion shikues. Topi i gjuajtur prej tij kishte një shpejtësi prej 121 km në orë”. Edhe një provokim tipik i Bildit për Kristiano Ronaldon. “E ka parë golin në televizion dhe tha: Gjermania është më e fortë fizikisht”.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›