E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një konflikt i ngrirë?

Ndërsa Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi më 15 qershor, periudha e tranzicionit ka ofruar më shumë ndërlikime se sa parashikohej. Vendosja e misionit të BE për rend dhe ligj, EULEX, vazhdon të vonohet nga kundërshtimi serb dhe rus për transferimin e autoritetit të OKB. Ndërkohë, serbët e mbetur e kanë avancuar ndarjen de facto të Kosovës me forcimin e institucioneve paralele, duke i lënë qeverinë kosovare dhe BE pa autoritet dhe me prani shumë të kufizuar në këto zona. Këtyre problemeve iu shtohet edhe shifra zhgënjyese e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se është propozuar si mundësi për qartësimin e statusit të Kosovës dhe forcimin e paqes në rajon, kjo periudhë ka demonstruar optimizëm të gabuar për këto dy hipoteza. Duke i munguar korniza e nevojshme ligjore, politike dhe diplomatike, EULEX tani përballet me vonesa dhe dilema të konsiderueshme. Edhe përçarjet e brendshme kanë filluar të marrin formë, Spanja nuk pranon të marrë pjesë në EULEX, derisa të bëhet kalimi formal i juridiksionit të UNMIK. Ndërkohë, NATO është e shqetësuar se KFOR do t’i kërkohet të marrë detyra policore, një detyrë për të cilën as nuk është stërvitur, as nuk është armatosur. Kjo paqartësi e madhe në lidhje me rolet respektive, përgjegjësitë dhe mandatet e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë ka ndihmuar për shtimin e mjegullës dhe pasigurisë. Ndërsa janë sugjeruar një sërë kompromisesh, çdonjëri prej tyre dobëson qëllimin parësor të misionit të BE. Megjithëse Ruecker këmbëngul se “nuk do të ketë ndarje gjeografike, etnike apo funksionale në ndarjen e punës në sektorin e zbatimit të ligjit mes organizatave të ndryshme”, një propozim i EULEX përfshin vendosjen e ndarë të EULEX në zonat e banuara vetëm nga shqiptarët, ndërsa forcat e mbetura të OKB të rrinë në territorin e banuar nga serbët; një lëvizje që vetëm sa do të rriste mundësinë e ndarjes. Një variant i dytë i mundshëm është vendosja e EULEX nën një “ombrellë të OKB”. Të dyja këto variante – vendosje e ndarë ose mbikëqyrje nga OKB – do ta kompromentonin seriozisht pavarësinë dhe funksionimin e misionit të BE. Rritja e mundësisë për ndarje de facto të Kosovës sugjeron se, pavarësisht si vendoset misioni i BE, ata nuk do të jenë në gjendje të veprojnë me efektivitet në zonat e kontrolluara nga serbët. Serbët e mbetur – me përkrahje financiare dhe politike nga Beogradi – kanë vendosur gradualisht institucione paralele për arsimin, shëndetësinë, qeverisje lokale përgjatë kufirit verior dhe në enklava brenda Kosovës, ndërsa policët serbë u larguan nga shërbimi policor dhe gjyqësor i Kosovës. Me planin për të formuar qeverisje lokale në bazë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë më 11 maj, rezultati i i të cilave nuk u pranua nga UNMIK, Serbia edhe njëherë po përpiqet të minojë autoritetin e qeverisë kosovare. Për më tepër, propozimi i ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, për “ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”, ndërsa bashkëpunimi i UNMIK dhe komunitetit serb do të intensifikohet në një sërë fushash, veçanërisht në shërbimin policor, çështjet gjyqësore dhe ruajtjen e kufirit Serbi-Kosovë, është një sfidë e madhe ndaj legjitimitetit të BE dhe pranisë së saj në gjithë Kosovën. Paaftësia e BE për të parashikuar pamjaftueshmërinë e planit dhe pengesat politike, ligjore dhe teknike për ta zbatuar me eficiencë vendosjen e misionit të saj në Kosovë vazhdon të minojë paqen dhe stabilitetin, me më shumë fragmentarizim dhe paqartësi të mandatit me hyrjen në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor. Në zonat e kontrolluara nga serbët, vendosja dhe veprimi i EULEX mbetet i vështirë. Me forcimin e institucioneve paralele dhe me rëndimin e ndarjes de facto të Kosovës, konflikti ka kaluar në një gjendje të ngrirë. E kombinuar me njohjen e dobët të pavarësisë së Kosovës, ekziston mundësia e madhe e një mosfunksionimi dhe zhgënjimi, ndërsa Prishtina përpiqet të përballojë problemet social-ekonomike. Këto mangësi të situatës, pavarësisht synimit të Evropës për të treguar forcën e politikave të përbashkëta për sigurinë dhe në diplomaci, demonstrojnë dobësinë e saj në zgjidhjen e krizave qytetare në Ballkanin Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›