Ministria e Ekonomisë: “Projekti për Porto-Romano, i ideuar që në vitin 2000”
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar dje ndaj deklaratave të deputetëve të opozitës duke sqaruar të vërtetën mbi pronat e Fazlliçit në Porto-Romano. “Duke marrë shkas nga të pavërtetat që janë hedhur në tregun mediatik ditët e fundit, sqarojmë se Porto-Romano është një projekt i ideuar që në vitin 2000, fillimisht si një port dhe zonë për tregtimin dhe depozitimin e karburanteve, ide që u zgjerua gjatë viteve në vazhdim, duke ardhur në propozimin e ndërtimit të një parku energjetik”, - bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë. “Për zhvillimin e kësaj zone, deri tani janë bërë vetëm studimet e nevojshme, por ende nuk është marrë miratimi në KRTRSH dhe aq më tepër nuk është vendosur se në ç’zonë të këtij parku do të ndërtohet TEC-i i ri apo projektet e tjera”,- theksohet në sqarimin e METE-s. “Parku i Porto-Romanos nuk është një investim publik. Qeveria shqiptare dhe studimet e kryera për këtë thjesht kanë synimin t’i orientojnë privatët në investimet e tyre. Partia Socialiste ka sugjeruar shtetëzimin e këtij parku, shumica e të cilit është pronë private, ndërkohë që mënyra më e drejtë për zhvillimin e kësaj zone do të ishte nëpërmjet investimeve private. Por, meqenëse PS-ja sugjeron shtetëzimin, ne mirëpresim propozimin dhe projektligjin e tyre”, - thuhet në deklaratën e METE-s. Në sqarimin e vet METE thekson se “detyrimi ynë kryesor vijon të mbetet sigurimi i energjisë elektrike dhe nuk është fakt i panjohur pozicioni dominues i kompanive serbe në tregun e shitblerjes së energjisë elektrike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje si Greqi, Maqedoni apo Kosovë. Sa i takon blerjes së energjisë në vitet e fundit, sqarojmë se blerjet janë bërë gjithmonë me parimin e garës dhe çmimit më të lirë të ofruar. Nuk është aspak e vërtetë se blerjet e energjisë nga kompanitë serbe janë favorizuar tre vitet e fundit. Përkundrazi, nëse do të krahasojmë shifrat e importeve në vitet e fundit, rezulton për shembull se në vitin 2003, 100 për qind e energjisë është blerë nga kompanitë serbe, ndërsa në vitin 2006, vetëm 9 për qind është blerë nga këto kompani, në vitin 2007, 61 për qind dhe po kaq në vitin 2008”.
17 Tetor 2008